Rasti Vukotiq shënon rastin e parë në Kosovë të bashkimit të dënimeve për krime lufte - Gazeta Express
string(85) "rasti-vukotiq-shenon-rastin-e-pare-ne-kosove-te-bashkimit-te-denimeve-per-krime-lufte"

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 6:56

Rasti Vukotiq shënon rastin e parë në Kosovë të bashkimit të dënimeve për krime lufte

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 6:56

Zoran Vukotiq shënon rastin e parë në Kosovë të bashkimit të dënimeve për krime lufte. Përballë disa aktakuzave për krime lufte, Vukotiq është dënuar për tri vepra – krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. Për dy dënimet e formës së prerë, Gjykata Themelore ka vendosur një dënim të bashkuar prej 19 vitesh burg, ndërsa pritet që edhe rasti për vrasjen e një 13-vjeçari t’i bashkohet këtij procesi të unifikimit të dënimeve, i cili ende po vazhdon.

Gjykata themelore në Prishtinë për herë të parë ka bërë bashkimin e dënimeve për krime lufte

Zoran Vukotiq ka pasur pesë aktakuza të ngritura për krime lufte. Gjykata i ka shqiptuar dy dënime të formës së prerë, dhunim seksual gjatë luftës, maltretim dhe rrahje të të burgosurve në burgun e Smrekonicës, dënim me 6 vite e gjashtë muaj. Ndërsa me 15 vite burg është dënuar për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli, gjatë kohës së luftës, dënim që pritet të bëhet i plotfuqishëm

Këto krime gjatë luftës, Vukotiq i ka kryer në territorin e Vushtrrisë

Për dënimet e formës së prerë, 6 dhe 13 vite burg Vukotiqit, Gjykata në Prishtinë ia ka bërë bashkimin e dënimeve dhe e ka unifikuar në 19 vite burg, me kërkesë të mbrojtjes së tij. Për unifikimin e këtyre dënimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka konfirmuar RTK-së

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka bashkuar dy dënimet e formës së prerë ndaj Z.V., i shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile, duke caktuar një dënim unik prej 19 vitesh burg. Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit, ndërsa Gjykata Supreme e ka hedhur si të palejueshme ankesën e të dënuarit. Ky është rasti i parë në gjykatë ku kërkohet bashkimi i dënimeve për këtë vepër penale”, thuhet në deklaratë.

Në proceset gjyqësore, pas shpalljes së vendimeve reagime të shumta vijnë nga viktimat, familjarët e të vrarëve e të prekurit e tjerë, sidomos për dënimin maksimal 15 vite që shqiptohet nga gjykata

Juristja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, e vlerëson si të rëndësishëm nxjerrjen e këtij vendimi që sipas saj hap rrugë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve në një nivel tjetër që do të jetë si model për rastet tjera

“Në këtë rast gjatë gjithë procedurës është aplikuar ligji më i favorshëm, ligji i ish Jugosllavisë që ka përkufizuar dhunim si krim kundër popullsisë civile dhe në bazë të këtij ligji është ngritur aktakuza dhe është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Te shqipimi i dënimit edhe gjyqtarët kanë qenë të kufizuar në bazë interpretimeve që janë bërë, kështu që mendoj që ka pasur interpretime të ndryshme dhe disa prej tyre jo të favorshme dhe jo të pranueshme sidomos për pozitën e viktimave dhe familjarëve të të vrarëve të cilët arrijnë me dëshmu dhe me e rikthy traumën dhe me ju rikthy gjithë procesit gjyqësor dhe në bazë të limiteve që i kanë aplikuar ka qenë 15 vite burgim që është absolutisht një dënim i papërfillshëm në raport me krimet mizore dhe çnjerëzore që i kanë bërë ndaj viktimave, sidomos grupeve të ndjeshme, grave fëmijëve pleqve dhe të tjerë”, deklaroi Fatmire Haliti nga “Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë sqaron se si ligji e parasheh një vendim të tillë e që është i pari që gjykata në Kosovë e shqipton në bashkimin e dënimeve për krime lufte

“Sipas mendimit tim, personat që dënohen pa marrë parasysh etnicitetin për veprat penale për krime lufte të kryera gjatë kohës së luftës që kanë disa dënime të formës së prerë dënimet nuk mund të kalojnë 15 vitshin apo në rastet e caktuara ashtu sic gjykatat e rajonit kanë shqiptuar dënimet 20 vite burgim, ne në Kosovë me vendim të supremës e kemi krijuar një praktikë më të butë me maksimumin prej 15 vitesh, në këto raste unë mendoj që personat mund të dënohen me 20 vite burgim për veprat penale për krime të luftës të kryera në rrethana të rënda por asesi nuk mund të denohen prej 16-të deri në 19 vite burgim. Për arsye se këto dënime nuk kanë qenë të parashikuara me ligjin e RSJ-së i cili është ligji”, tha Amer Alija nga “Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë”.

Për Zoran Vukotiqin procesi do të vazhdojë derisa të merret një epilog përfundimtar pasi edhe dënimi tjetër të marrë formën e prerë. Sfida mbetet se si do të unifikohet ky dënim me dënimin maksimal duke marrë parasysh edhe dënimin e fundit prej 15 vitesh burgim

RTK ka mësuar se edhe viktima të tjera të dhunimit seksual gjatë luftës nga Zoran Vukotiq do të paraqesin rastet e tyre për të kërkuar drejtësi.