Blerim Shabani nga Ministria për Familje, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani, i cili dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij.
Shabani tha se edhe gjashtë fëmijët e tjerë të kësaj familje janë vendosur në një vend të sigurt, dhe sipas tij, po marrin përkujdesjen e duhur, transmeton Klankosova.
“Fëmijët janë vendosur në një vend të sigurt, dhe janë duke marrë përkujdesjen institucionale në përputhje me përgjegjësitë e të gjitha mekanizmave zyrtarë”, tha ai para mediave.
Ndërsa ai tha se Ministria për Familje nuk është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve direkte për personat që kanë nevojë për shërbime sociale.
Ai bëri thirrje që lidhur me këto raste të rënda, të njoftohen sa më parë organet kompetente.
Kujtojmë se vogëlushi i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, pasi rrezikonte t’i amputoheshin shputat e këmbëve si pasojë e keqtrajtimit.
Ndërsa prindërit e 5-vjeçarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.