Kryeprokurori publik Lupço Kocevski ka njoftuar sot se Prokuroria ka hapur procedurë hetimore ndaj 13 nëpunësve policorë, të dyshuar për përgjegjësi në tragjedinë e ndodhur në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Sipas Kocevskit, nëpunësit dyshohen se kanë kryer kontroll në kabaren “Plus” në bazë të një plani operativ të bazuar në dokumente të mëparshme, pa marrë parasysh ndryshimet e fundit ligjore. Ky veprim, sipas tij, ka ndikuar në mospërfshirjen e elementeve të nevojshme të sigurisë, përfshirë edhe ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, që dyshohet se shkaktuan zjarrin fatal.
“Prokuroria ka lëshuar urdhër për zbatim të hetimeve ndaj 13 nëpunësve policorë. Ata dyshohen se, nga data 14 deri më 16 mars 2025, në territorin e Shtipit, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë kryer vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Të njëjtit, si bashkëveprues, nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe kanë miratuar plan kontrolli në objektin hotelierik në rajonin e Koçanit, pa u siguruar nëse ky objekt plotësonte kushtet për siguri dhe mbrojtje nga rreziqet”, tha Kocevski.
Sipas tij, më 16 mars, gjatë kontrollit në kabaren “Plus”, policët nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në skenë. Aktivitetet me piroteknikë nuk janë evidentuar në raportin policor, çka besohet se çoi në shpërthimin dhe zjarrin që mori jetën e shumë personave dhe plagosi qindra të tjerë.
Ndaj të dyshuarve janë shqiptuar masa të sigurisë si: ndalesë për të lëshuar vendbanimin, detyrim për t’u paraqitur rregullisht para gjykatës ose autoriteteve kompetente, marrje e pasaportës ose ndalesë për të marrë pasaportë të re, si dhe ndalim të kontaktit me persona të përfshirë në rast dhe ndalim të ushtrimit të detyrave zyrtare.