Një vit pas ndarjes nga jeta të Vedat Ademit nga Kumanova, familja e tij ka reaguar publikisht, duke shprehur pakënaqësi dhe shqetësim të thellë për mungesën e përgjigjeve institucionale lidhur me rrethanat e vdekjes së tij në Spitalin e Kumanovës. Në reagimin e tyre, familjarët theksojnë se prej një viti jetojnë mes dhimbjes dhe pritjes për të kuptuar se si dhe pse humbën të afërmin e tyre. Sipas tyre, ndonëse besojnë në fatin dhe vullnetin e Zotit, nuk mund të pranojnë që çdo rast të mbyllet pa u zbardhur përgjegjësia, sidomos kur dyshohet për gabime në trajtimin mjekësor, përcjell Gazeta Express nga gazeta KOHA.
Familja Ademi nënvizon se autopsia e trupit të të ndjerit ishte kërkuar pikërisht për të sqaruar shkaqet reale të vdekjes dhe për të identifikuar përgjegjësit eventualë. Ata dyshojnë se Vedat Ademi ka ndërruar jetë pasi i është administruar një ilaç, ndaj të cilit ai ka qenë alergjik, çka, sipas tyre, përbën rrezikim të drejtpërdrejtë të jetës dhe neglizhencë të mundshme mjekësore.
Megjithatë, familja shprehet e indinjuar që edhe pas gati një viti, institucionet shtetërore nuk kanë dalë me një qëndrim të qartë për rastin. Ata ngrenë dyshime se zvarritja e lëndës mund të ketë për qëllim shmangien e përgjegjësisë dhe ndërtimin e një rasti që, sipas tyre, mund të çojë në lirimin e fajtorëve.
“Mbajtja e lëndës për një vit vetëm sa ka rritur dyshimet tona në drejtësinë, e cila edhe ashtu është e luhatur”, thuhet në reagimin e familjes, e cila paralajmëron se do të kërkojë mbështetje më të gjerë për zbardhjen e rastit. Familjarët kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen mediave, organizatave për të drejtat e njeriut, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe sektorë të Bashkimit Evropian, me qëllim që rasti të trajtohet në mënyrë transparente dhe të sigurohet drejtësi.
Rasti i Vedat Ademit pati tronditur opinionin publik në Kumanovë dhe më gjerë, ndërsa familja kërkon që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të zbardhet plotësisht e vërteta për vdekjen e tij
tag_katrorimaqedoni_2