Rashica në formë të dobët, 0 gola në 14 ndeshje më 2020 në Bundesligë - Gazeta Express

Futboll

Gazeta Express

03/06/2020 23:48

Rashica në formë të dobët, 0 gola në 14 ndeshje më 2020 në Bundesligë

Futboll

Gazeta Express

03/06/2020 23:48

Milot Rashica po e përjeton periudhën më të dobët në fanellën e Werder Bremenit, që prej kalimit në Bundesligë nga Vitesse në janar të vitit 2018. Anësori kosovar është në një ecuri prej 14 ndeshjeve pa shënuar gol në ligën elitare gjermane.

Rashica ende nuk e ka gjetur rrjetën e portës në vitin 2020, dhe ka kontribuar në vetëm dy gola të Werderit në 14 paraqitjet e fundit, duke asistuar në barazimin 2:2 me Hertha dhe në fitoren 1:0 kundër Schalke 04 këtë fundjavë, raporton Gazeta Express.

Hera e fundit kur Rashica shënoi gol në Bundesligë ishte në humbjen e thellë të Werderit 6:1 kundër Bayern Munich në dhjetor 2019.

23-vjeçari nga Vushtrria është duke kaluar nëpër formë të dobët muajt e fundit dhe ka filluar të marrë kritika, në një kohë kur ka shumë thashetheme rreth të ardhmes së tij, pasi shumë klube evropiane kanë shprehur interesim për të.

Mario Basler, ish-ylli i Kombëtares së Gjermanisë dhe Bayern Munich, tha ditë më parë se ndihet i irrituar nga qasja e Milot Rashicës në fushë në ndeshjet e fundit për Werder Bremenin, duke sugjeruar se ylli kosovar mund ta ketë mendjen tek kalimi te ndonjë klub tjetër.

“Mbase ai [Rashica] tashmë e ka ndonjë klub tjetër në mendje. Kjo është irrituese. Ai vetëm ec nëpër fushë, pavarësisht se është lojtar shumë i mirë. Nganjëherë vras mendjen se çfarë po kërkon të bëjë ai në fushë”, kishte thënë Basler.

Tani ai është në një ecuri tejet negative prej 14 ndeshjeve pa shënuar gol në ligën elitare gjermane. Ai, megjithatë, i ka 7 gola dhe 5 asiste në 24 ndeshje këtë sezon në Bundesligë.

Rashica do t’i ketë edhe pesë ndeshje për ta thyer këtë ecurie negative dhe për t’i ndihmuar Werderit të mbijetojë në Bundesligë.

Deri në përfundim të Sezonit, Werderi do të takohet me Wolfsburg, Paderborn, Bayern Munich, Mainz dhe Koln.

/Gazeta Express/