Raportuesja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Pushteti ne Serbi të ndalojë përdorimin e tepruar të forcës - Gazeta Express
string(120) "raportuesja-e-asamblese-parlamentare-te-keshillit-te-evropes-pushteti-ne-serbi-te-ndaloje-perdorimin-e-tepruar-te-forces"

Lajme

Gazeta Express

22/08/2025 9:00

Raportuesja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Pushteti ne Serbi të ndalojë përdorimin e tepruar të forcës

Lajme

Gazeta Express

22/08/2025 9:00

Raportuesja për monitorimin e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Viktoria Tiblom, ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj përshkallëzimit të dhunës në qytetet kryesore të Serbisë, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të ndalojnë menjëherë përdorimin e tepruar të forcës ndaj qytetarëve dhe të garantojnë hetime të pavarura për incidentet e dhunshme.

“Autoritetet serbe duhet të ndalojnë menjëherë përdorimin e tepruar të forcës, të sigurojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe efektive për të gjitha incidentet e dhunës, si dhe të mbajnë përgjegjës si pjesëtarët e forcave të rendit, ashtu edhe personat privatë që do të rezultojnë përgjegjës,” u shpreh Tiblom në një deklaratë zyrtare.

Ajo kërkoi që autoritetet të marrin masa konkrete për të mbrojtur individët dhe grupet nga provokimet dhe dhuna e shkaktuar nga aktorë jo-shtetërorë, duke theksuar se dhuna, nga çfarëdo pale që vjen, është e papranueshme.

“E dënoj në mënyrë të qartë çdo formë dhune — qoftë nga autoritetet shtetërore, grupet proqeveritare apo protestuesit — dhe u bëj thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv,” theksoi raportuesja e PACE.

Tiblom tha se është thellësisht e shqetësuar për rritjen e dhunës që ka përfshirë disa qytete të mëdha të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Nishin dhe Valjevon, gjatë ditëve të fundit.

Sipas saj, në këto qytete janë zhvilluar përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, me pasoja të shumta. Protestat, që kanë nisur në nëntor të vitit 2024 dhe që kryesisht kanë qenë paqësore deri më tani, kanë kaluar në përplasje të ashpra, veçanërisht pas incidenteve mes protestuesve dhe përkrahësve të partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS).

Policia ka reaguar me gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe, sipas raportimeve, me forcë të tepruar. Ka shumë raportime për arrestime masive dhe të lënduar – si në mesin e protestuesve, ashtu edhe në radhët e policisë. Protestuesit kanë akuzuar policinë për mosreagim ndaj sulmeve të para, të cilat, sipas tyre, kanë shkaktuar përshkallëzimin e konfliktit.

“Këto zhvillime përbëjnë një përshkallëzim të qartë të krizës politike dhe shoqërore që po kalon Serbia, dhe kërkojnë reagim urgjent e të përgjegjshëm nga autoritetet,” tha Tiblom në përfundim të deklaratës së saj.