Raportuesi i PE’së për Kosovën në draft-raport përmend me shqetësim “përpjekjet për politizim” të KQZ-së - Gazeta Express
string(101) "raportuesi-i-pese-per-kosoven-ne-draft-raport-permend-me-shqetesim-perpjekjet-per-politizim-te-kqz-se"

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 11:53

Raportuesi i PE’së për Kosovën në draft-raport përmend me shqetësim “përpjekjet për politizim” të KQZ-së

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 11:53

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, në një draft-raport për vendin ka vënë në dukje edhe “përpjekjet për politizimin” e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Këtu ai iu referua ngjarjeve që ndodhën në KQZ lidhur me certifikimin e Listës Srpska që u kundërshtua disa herë nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ edhe duke qenë e ditur se certifikimi i saj do të bëhej nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa apo Gjykata Supreme.

“Shpreh keqardhje për përpjekjet e vazhdueshme për të politizuar institucionet e pavarura, përfshirë presionin ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe për mangësitë në qeverisje brenda Komisionit të Pavarur të Mediave”, thuhet në pjesën e raportit ku flitet për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Po ashtu, në raport Kosova kritikohet për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit ku u përmend rënia në indeks.

“Mbetet shqetësim për zbatimin e kufizuar të strategjisë për sundimin e ligjit dhe mungesën e vazhdimësisë së mjaftueshme në reformat, për përbërjen jo të plotë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për vonesat në zbatimin e reformave në drejtësi; Shpreh shqetësim për përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi; vëren me shqetësim rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2025, ku renditet e 76-ta nga 182 vende dhe territore, tre pozita më poshtë se në vitin 2024, duke përmbysur një trend të mëparshëm të përmirësimit gradual”, thuhet në këtë draft-raport.

Ndërkaq, është mirëpritur “fakti se është arritur njëfarë përparimi në luftën kundër krimit të organizuar”, po duke bërë thirrje për miratimin e shpejtë të një strategjie kombëtare dhe plani veprimi kundër krimit të organizuar.

“Vlerëson rolin e vazhdueshëm të EULEX-it në ndihmën ndaj autoriteteve të Kosovës për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura për sundimin e ligjit”.

Me këtë raport, raportuesi thotë se synon të ofrojë një përmbledhje dhe vlerësimin e Parlamentit Europian mbi arritjet më të rëndësishme dhe sfidat me të cilat përballet Kosova sot dhe në të ardhmen e afërt./Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement