Kunati i deputetes së VV’së Fitore Pacolli- Dalipi, Valon Dalipi qe afro një vit ka nisur punën në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Më 2 gusht të vitit 2024, Dalipi u përzgjodh si kandidati më i suksesshëm në pozitën e përkthyesit në një prej agjencive më të rëndësishme të pavarura në vend.
Bazuar në dokumentet që ka siguruar gazeta Nacionale, konkursi ishte shpallur në qershor të vitit të kaluar, dhe për pozitën e përkthyesit kishin aplikuar 7 kandidatë, e në mesin e tyre edhe kunati i deputetes Pacolli. Nga ta, Dalipi bashkë me dy të tjerë e kishin kaluar verifikimin paraprak.
Në listën me vlerësime më pas, Dalipi doli të jetë me i poentuari, duke siguruar vendin e punës. Në total, ai do të merrte 90.8 pikë nga ky konkurs, dhe më datën 2 gusht 2024, u shpall njoftimi për punësimin e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, dhe këta të fundit, kanë mohuar kategorikisht çdo mundësi që deputetja Pacolli të ketë pasur ndonjë ndikim në këtë punësim.
“Ky proces është i bazuar në kriteret ligjore, të matura dhe të dokumentuara përmes testimit dhe vlerësimit profesional, në përputhje të plotë me parimin e meritokracisë. APK nuk ka pasur nevojë që të jetë në dijeni për lidhje familjare të z. Valon Dalipi me deputeten e as deputetja e përmendur nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë mundësi faktike për të ndikuar në procesin e rekrutimit të zhvilluar nga Agjencia”, thuhet në fillim të përgjigjes nga AKP-ja.
Valon Dalipi, njëjtë si vëllai i tij Iliri që është bashkëshorti i Fitore Pacollit, janë nga Bujanoci. Si rezultat, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e arsyeton vendimin, duke thënë se këto pozita të përkthimit në gjuhën serbe, janë kryesisht shtetas nga Mali i Zi apo Serbia, për shkak se nuk ka kandidatë të certifikuar.
“Pozita për përkthim në gjuhët shqip-serbisht ka një specifikë të veçantë për shkak të natyrës teknike të punës. Bazuar në përvojën e mëparshme, kjo pozitë zakonisht mbulohet nga përkthyes shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi apo Serbia, për shkak të mungesës së kandidatëve të certifikuar brenda Kosovës që përmbushin kërkesat e domosdoshme për përkthim të specializuar juridik dhe institucional. Në përmbyllje, e sigurojmë publikun dhe median se procesi i rekrutimit ka qenë i bazuar në standarde të larta profesionale dhe ligjore. Afërsia familjare e mundshme nuk ka ndikuar në asnjë mënyrë – e as nuk do të mund të ndikojë në asnjë vendimmarrje të APK-së, e cila është institucion i pavarur dhe i angazhuar për integritet të plotë institucional”, thuhet në përgjigjen e APK-së.
Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e deputetes Fitore Pacolli, por e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...