Sipas burimeve të afërta me grupin Hamas, liderët e grupit janë pranë pranimit të një marrëveshjeje të propozuar për armëpushim në Gaza, por duan garanci më të forta se çdo ndërprerje e luftimeve do të çojë në një përfundim të përhershëm të luftës 20-mujore, raporton The Guardian.
Dijmë se më herët gjatë ditës, zyrtarët e Hamasit kanë konfirmuar se janë duke folur me “fraksione të tjera palestineze” përpara se të shpallin zyrtarisht një përgjigje për propozimet e reja për armëpushim, të cilat tashmë janë pranuar nga Izraeli.
Kujtojmë se, sipas zyrtarëve mjekësorë dhe të mbrojtjes civile, ditët e fundit, Izraeli ka intensifikuar ofensivën, duke kryer një valë të fuqishme sulmesh ajrore në të gjithë Gazën, e duke lënë të vrarë më shumë se 250 palestinezë, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.
Ndërsa, sipas raportimeve që nga prishja e një armëpushimi të mëparshëm në mars, më shumë se 6,000 njerëz janë vrarë në Gaza dhe vendi ka hyrë në krizë të thellë humanitare.