Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian ka hartuar një listë me dhjetë opsione për të sanksionuar Izraelin, pasi ka gjetur “indikacione” se ky shtet ka shkelur detyrimet e tij për të drejtat e njeriut lidhur me veprimet në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Sipas The Guardian, një dokument pesëfaqësh, i cili do të diskutohet javën e ardhshme nga ministrat e jashtëm të BE-së, përfshin opsione si: pezullimi i marrëveshjes së asociimit BE-Izrael, pezullimi i udhëtimit pa viza për qytetarët izraelitë, ngrirja e përfitimeve tregtare preferenciale apo përjashtimi i Izraelit nga programet kërkimore dhe të shkëmbimeve studentore në Evropë.
Dokumenti, i raportuar fillimisht nga Reuters, bëhet e ditur se nuk përmban rekomandime konkrete. Ndërsa, thuhet se nuk dihet ende nëse ndonjë prej propozimeve do të marrë mbështetje.
Kujtojmë se, deri më tani, vetëm Spanja ka kërkuar pezullimin e marrëveshjes së asociimit BE-Izrael, por kjo kërkon unanimitet nga të gjitha shtetet anëtare. Dokumenti ka dalë në dritë, pasi shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, njoftoi një marrëveshje potencialisht të rëndësishme me Izraelin për të rritur ndihmën humanitare në Gaza.
Raportohet se reagimi i BE-së tutje me Izraelin, do të varet nga mënyra se si Izraeli do ta zbatojë marrëveshjen për rritjen e ndihmës.
“Llogarisim tek Izraeli që të zbatojë çdo masë të rënë dakord,” ka thënë Kallas.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...