Të paktën 21 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur më 1 qershor, teksa ata po shkonin për të marrë ushqime në një qendër për shpërndarjen e ndihmës në Rripin e Gazës, tha një spital fushor i Kryqit të Kuq dhe disa dëshmitarë. Dëshmitarët thanë se forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmës së njerëzve që ishte afër 1 kilometër larg qendrës së ndihmës, që udhëhiqet nga një fondacion i mbështetur nga Izraeli.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë ngjarje. Fondacioni tha përmes një deklarate se ka shpërndarë ndihma “pa asnjë incident” mëngjesin e së dielës dhe mohoi raportimet e mëhershme për kaos dhe të shtëna afër rreth qendrave të ndihmës, që janë të vendosura në zona ushtarake izraelite, ku qasja e pavarur është e kufizuar.
Zyrtarët në spitalin fushor thanë se të paktën 21 persona janë vrarë dhe 175 të tjerë janë plagosur, por nuk treguan se kush hapi zjarr ndaj tyre. Një reporter i Associated Press raportoi se ka parë dhjetëra persona duke u trajtuar në këtë spital.
Shpërndarja e ndihmave nga Fondacioni Humanitar për Gazën është përcjellë me kaos dhe dhjetëra dëshmitarë kanë thënë se trupat izraelite kanë hapur zjarr ndaj turmave pranë qendrave të ndihmës. Para të dielës, të paktën gjashtë persona u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.
Fondacioni ka thënë se kontraktorë privatë të sigurisë ruajnë qendrat e tij dhe ata nuk kanë hapur zjarr ndaj turmave, ndërkaq ushtria izraelite e ka pranuar se ka hapur zjarr në raste të mëhershme.
Përmes një deklarate, ky fondacion tha se ka shpërndarë 16 kamionë me ndihma mëngjesin e së dielës “pa asnjë incident”, duke hedhur poshtë ato që i cilësoi si “raportime të rreme lidhur me vdekje, të plagosur dhe kaos”.
Mijëra njerëz u nisën drejt qendrës së ndihmës disa orë para agimit, teksa pritën rreth 1 kilometër larg derisa qendra të hapej, thanë dëshmitarët. Ata thanë se forcat izraelite urdhëruan njerëzit të shpërndaheshin dhe të ktheheshin më vonë dhe më pas hapën zjarr.
“Kishte zjarr nga të gjitha drejtimet, nga luftanijet, nga tanket dhe dronët”, tha Amr Abu Teiba, që gjendej në mesin e turmës.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i ri i shpërndarjes së ndihmës synon që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – të mos e deviojë atë. Izraeli nuk ka dhënë asnjë dëshmi se ka pasur devijim të ndihmës dhe Kombet e Bashkuara kanë mohuar se diçka e tillë ka ndodhur.
Agjencitë e OKB-së dhe grupe të tjera të mëdha të ndihmës kanë refuzuar që të punojmë me sistemin e ri për shpërndarjen e ndihmave, duke argumentuar se shkel parimet humanitare pasi që i lejon Izraelit të kontrollojë se kush merr ndihma dhe i detyron njerëzit që të zhvendosen në qendrat e ndihmës, duke rrezikuar edhe një zhvendosje masive në territorin palestinez.
Sistemi i OKB-së është përballur me vështirësi për të dërguar ndihma që nga momentii kur Izraeli zbuti lehtësisht bllokadën e plotë ndaj Gazës muajin e kaluar. Organizatat humanitare thonë se kufizimet izraelite, shkatërrimi i rendit dhe ligjit, dhe plaçkitjet masive e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë shpërndarjen e ndihmës për afër 2 milionë palestinezët që jetojnë në territorin e Gazës.
Ekspertët kanë paralajmëruar se territori rrezikon një zi buke nëse nuk dërgohet më shumë ndihmë.
Lufta në Gazë filloi më 7 tetor 2023, kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan në jug të Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Aktualisht, mbahen ende 58 pengje, rreth një e treta e të cilëve besohet se janë gjallë, teksa pjesa më e madhe u lirua përmes marrëveshjeve armëpushimi apo shkëmbimeve të tjera.
Fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë më shumë se 54.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve kur raporton për viktimat. Ofensiva izraelite ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit, ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullsisë si dhe ka lënë njerëzit pothuajse plotësisht të varur nga ndihmat ndërkombëtare. /REL/