Një nga fatkeqësitë më të mëdha ajrore në historinë e Indisë ka ndodhur të enjten, kur një avion i kompanisë Air India me 242 persona në bord u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad, në perëndim të vendit. Sipas autoriteteve, mbi 100 persona kanë humbur jetën dhe numri i viktimave pritet të rritet.
Kujtojmë se avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick, në jug të Londrës, ndërsa, sipas raportimeve të agjencisë Reuters, ai u përplas në një zonë të banuar pranë aeroportit.
Policia lokale ka bërë të ditur se mbi 100 trupa të pajetë, shumica e të cilëve të djegur rëndë, janë transportuar në spitalin qeveritar për autopsi.
Pamjet dhe videot nga vendngjarja tregojnë për një skenë të tmerrshme: pjesë të trupit të avionit të shpërndara rreth ndërtesës, ndërsa bishti i avionit kishte mbetur i ngecur në majë të strukturës ku ndodhi përplasja.
Bëhet e ditur se ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionin e kërkim-shpëtimit mes rrënojave, ndërsa vendi është i tronditur nga kjo tragjedi.