Raportohet për 140 të vrarë në 24 orë nga sulmet izraelite në Gaza, mes tyre civilë që prisnin ndihma - Gazeta Express
string(106) "raportohet-per-140-te-vrare-ne-gaza-nga-sulmet-izraelite-brenda-24-oreve-mes-tyre-civile-qe-prisnin-ndihma"

Lajme

Gazeta Express

18/06/2025 14:55

Raportohet për 140 të vrarë në 24 orë nga sulmet izraelite në Gaza, mes tyre civilë që prisnin ndihma

Lajme

Gazeta Express

18/06/2025 14:55

Zyrtarët lokalë të shëndetësisë, kanë raportuar se sulmet izraelite në Rripin e Gazës, kanë lënë të vrarë të paktën 140 persona në 24 orët e fundit, sipas agjencisë AFP.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, ka bërë të ditur se të paktën 40 prej viktimave janë vrarë nga zjarri dhe sulmet ajrore të ushtrisë izraelite të mërkurën.

Ndërkohë, punonjësit mjekësorë kanë thënë se sulme të ndara ajrore në banesa në kampin e refugjatëve Maghazi, në lagjen Zeitoun dhe në qytetin e Gazës – në pjesën qendrore dhe veriore të enklavës – kanë lënë të vrarë të paktën 21 persona.

Është bërë e ditur edhe për pesë të tjerë të vrarë nga një tjetër sulm ajror në një kamp të përkohshëm në Khan Younis, në jug të Gazës. Ndërsa, sipas mjekëve, 14 persona të tjerë ishin vrarë nga zjarri izraelit mbi turmat e palestinezëve të zhvendosur që po prisnin ndihma humanitare në qendër të Gazës.

Lidhur me situatën ka reaguar drejtori i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Philippe Lazzarini, duke e quajtur sistemin aktual të shpërndarjes së ndihmave “një turp dhe njollë në ndërgjegjen kolektive”.

Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë se po hetojnë raportimet mbi vdekjet e civilëve që po prisnin ushqime. Përsa i përket sulmeve të tjera, IDF deklaroi se janë “duke vepruar për të çmontuar kapacitetet ushtarake të Hamasit” dhe se po marrin “masa të mundshme për të minimizuar dëmet ndaj civilëve”.