Raportimi për asociacion dhe vetting, Hoti merr 10 dhjetë ditë afat - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

22/09/2020 16:34

Raportimi për asociacion dhe vetting, Hoti merr 10 dhjetë ditë afat

Lajme

Gazeta Express

22/09/2020 16:34

Komisioni për Legjislacion ka ftuar kryeministrin Avdullah Hoti për raportim në lidhje me “zotimin” e tij për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, si dhe procesin e vettingut në drejtësi. Kreut të qeverisë iu ‘vendos afati’ prej 10 ditësh që t’i përgjigjet pozitivisht komisionit.

Iniciuesi i kërkesës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi tha se kryeministri duhet të sqarojë si do të themelojë asociacionin, i cili është në kundërshtim në 23 nene me Kushtetutën e Kosovës.

“Konsideroj që është shumë e rëndësishme që kryeministri Hoti të vijë për të raportuar mbi deklaratat e tij publike rreth implementimit të idesë së asociacionit të komunave serbe, sidomos pasi kemi të bëjmë edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në të cilën shumë nene të saj të karakterit ekzekutivi i ka shpallur kundërkushtetuese. Është e rëndësishme të vijë këtu dhe t’i jep përgjigjet rreth paqartësive tona si komision në lidhje me zotimin për implementimin e projektit të asociacionit. Pra si e ka menduar, çfarë modeli është në pyetje, pse po insiston me shty përpara një projekt që tashmë shumë subjekte kanë dilemat e tyre”, tha ai.

Për këtë çështje u pajtua edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, por me kërkesë të tij u përfshi edhe raportimi për procesin e vettingut.

“Sot, zotëri Hoti është kryeministër i Kosovës dhe mua më intereson qasja e tij, drejtimi që do t’i jep këtij procesi të rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë. Perspektiva e tij, angazhimi i tij. A ka marrë ndonjë hap deri më tani, nëse jo, cila është agjenda sa i përket vettingut, kë e ka partner në këtë proces”, tha ai.

Por këtë kërkesë e cilësoi si të pabazuar kryetari i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj.

“Sa i përket marrëveshjes për asociacionit, mendoj që kërkesa është e pabazuar dhe si e tillë që është parashtruar, nuk qëndron. Kryeministri ka deklaruar se nuk e diskutojnë për asociacionin dhe nëse kjo çështje parashtrohet do të bëhet vetëm në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndaj Manajt ka reaguar deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi e cila tha se është praktikë që kryeministri dhe qeveria të raportojnë në Kuvend sa herë që kjo iu kërkohet atyre.

“Ju po bini në kundërshtim me atë çfarë thatë më herët, do të thotë nëse iu pëlqen tema e thërrasim kryeministrin. E nëse nuk iu pëlqen tema, nuk e thërrasim kryeministrin. Ne jemi republikë parlamentare, kryeministri dhe qeveria duhet të raportojnë sa herë që i thërrasim për temat që i vlerësojnë deputetët”, tha Kadaj-Bujupi.

Në mbledhjen e sotme, komisioni nuk arriti të kalojë në parim projekt-kodin civil për shkak të vërejtjes së deputetëve. Edhe projektligji për tokën ndërtimore nuk kaloi për të njëjtën arsye. Për këtë çështje u kërkua raportimi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.