Komisioni Evropian do të publikojë sot raportin e tij mbi progresin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar një rënie dramatike në fushat e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe luftës kundër korrupsionit.
Dokumenti, që sipas Nova-s mbulon periudhën qershor 2024–maj 2025, evidenton se institucionet janë praktikisht nën kontrollin e partisë në pushtet, SNS, dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
Raporti vëren se zgjedhjet në të gjitha nivelet ishin të karakterizuara nga shkelje serioze, përfshirë abuzim me burimet shtetërore, presion ndaj votuesve dhe mungesë balancimi mediatik. Opozita nuk ka akses të barabartë në media dhe financim, ndërsa kandidatë kritikë ndaj qeverisë përballen me presione dhe fushata diskreditimi.
Në fushën e medias, raporti thekson një situatë alarmante: liria e medias është thellësisht e cenuar, mediat kryesore kombëtare funksionojnë si zgjatime propagandistike të pushtetit, ndërsa kanalet kritike si N1 dhe TV Nova janë të hequra nga platforma kabllore pas blerjes së tyre nga Telekom Serbia, duke dëmtuar pluralizmin dhe debatet e lira publike.
Reforma e drejtësisë është e ngadalësuar, me gjyqësor dhe prokurori që mbeten të politizuar. Lufta kundër korrupsionit është pothuajse e pamundur, me raste të mosndëshkimit të abuzimeve të larta publike dhe mungesë vullneti politik për të hetuar funksionarët e lartë.
Raporti gjithashtu thekson centralizimin e institucioneve, punësimet e bazuara në besnikëri politike dhe presionet ndaj organizatave të shoqërisë civile. Edhe të drejtat themelore dhe liritë civile po shtrëngohen, me përdorim të tepruar të forcës gjatë protestave dhe mungesë përgjegjësie nga policia.
Diplomatët e BE-së e përshkruajnë këtë raport si një paralajmërim të hapur se regjimi i Vuçiqit po lëviz drejt një modeli të kontrollit autoritar, ku institucionet ekzistojnë vetëm formalitet dhe mediat e pavarura janë nën presion të vazhdueshëm.