Raporti i “McKinsey” ka vënë në pah se me teknologjinë e sotme, agjentët e Inteligjencës Artificiale dhe robotët janë të gatshëm të automatizojnë rreth 57 % të orëve të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka raportuar të martën (25.11.2025) gazeta britanike, “The Times”
Rreth gjysma e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara mund të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale, thuhet në një raport të publikuar nga Instituti Global, “McKinsey”.
Analiza e konsulencës amerikane ka spikatur se robotët dhe agjentët e Inteligjencës Artificiale mund të automatizojnë më shumë se gjysmën e orëve të punës në SHBA, si ato mendore, ashtu edhe njohëse (kognitive), duke përdorur teknologjinë që sot është në dispozicion, nëse kompanitë do të ridizajnonin mënyrën sesi i kryejnë punët.
Shumica e roleve në rrezik – rreth 40 për qind – përfshijnë llojet e hartimit, përpunimit të informacionit dhe arsyetimit rutinor që mund ta bëjnë agjentët e Inteligjencës Artificiale. Hulumtimi ka vënë në pah se punësimi po ngadalësohet në disa vende të tilla pune, siç janë asistentët ligjorë, punonjësit administrativë dhe të mbështetjes në zyra dhe programuesit.
Ngjashëm, punët e rrezikshme fizike, në depo ose në operimin e makinerive, kanë më shumë gjasa të zëvendësohen nga robotët, vlerëson “McKinsey”.
Analiza
Analiza ka spikatur se një e treta e vendeve të punës në SHBA do të ishte e vështirë të zëvendësohej me Inteligjencë Artificiale, sepse ato vende pune kanë atribute unike njerëzore, siç është infermieria. Rreth 70 % e detyrave të kryera nga kujdestarët dhe punonjës të tjerë të kujdesit shëndetësor kërkojnë sojin e pranisë fizike, empatisë, kujdesit dhe shkathtësisë që makinat nuk mund t’i kopjojnë.
Puna e mirëmbajtjes dhe riparimit të ndërtesave, e cila kërkon fleksibilitet, gjykim dhe të menduar në punë, shpesh në mjedise të paparashikueshme, ka po aq pak gjasa të automatizohet.
Barriera ndaj adaptimit ka ndodhur si pasojë e zgjedhjes së politikave dhe shpenzimeve për zbatimin dhe zhvillimin, vlerëson “McKinsey”. Hulumtimi “Agjentët, robotët dhe ne”, ka theksuar se ndryshimi i rrjedhave të punës, në vend të ndërhyrjes në detyrat individuale, mund të gjenerojë 2.9 bilionë dollarë në vit në vlerë ekonomike deri në vitin 2030.
Aftësitë njerëzore nuk do të zhduken ndërsa Inteligjenca Artificiale mbizotëron, ka zbuluar hulumtimi, por përkundrazi njerëzit do të punojnë në “partneritet” me robotët. Punëtorët do të ndryshojnë mënyrën dhe kohën kur i bëjnë punët, duke shpenzuar më pak kohë në punë të tilla, si përgatitja e dokumenteve dhe më shumë kohë duke interpretuar rezultatet dhe duke u treguar sistemeve të Inteligjencës Artificiale se çfarë të bëjnë.
Nuk është krejt zi
Një e treta e vendeve të punës në SHBA në profesione të tilla, si mësimdhënia do ta përdorin Inteligjencën Artificiale në mënyrë hibride që të ndihmojnë kryerjen e punëve, të gjenerojnë përmbajtje dhe të merren me barrët administrative, duke i lënë njerëzit të interpretojnë rezultatet, të krijojnë gjykime dhe t’i udhëheqin vendimet.
Nuk është gjithçka e zymtë dhe e errët. Studiuesit argumentuan se rritja e Inteligjencës Artificiale po krijon një valë rolesh të reja, nga menaxherët e produkteve që koordinojnë sistemet e Inteligjencës Artificiale te njerëzit që garantojnë sigurinë, sepse Inteligjenca Artificiale ende varet nga njerëzit për t’i mbikëqyrur, akorduar, testuar dhe mbështetur fizikisht sistemet që e bëjnë atë të funksionojë. /Kallxo