Raporti i PE, Spiropali: Konfirmoi Shqipërinë vend pararojë për anëtarësimin në BE, humbësit po përdhosin emrin e shqiptarëve - Gazeta Express
string(122) "raporti-i-pe-spiropali-konfirmoi-shqiperine-vend-pararoje-per-anetaresimin-ne-be-humbesit-po-perdhosin-emrin-e-shqiptareve"

Shqiperi

Gazeta Express

05/06/2025 12:02

Raporti i PE, Spiropali: Konfirmoi Shqipërinë vend pararojë për anëtarësimin në BE, humbësit po përdhosin emrin e shqiptarëve

Shqiperi

Gazeta Express

05/06/2025 12:02

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, miratoi dje Raportin për Shqipërinë, i cili analizon situatën dhe progresin tonë në rrugën drejt integrimit europian, për vitet 2023 dhe 2024.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në një deklaratë për mediet përshëndeti raportin e hartuar nga raporteri për Shqipërinë, Andreas Schieder, të cilit i shprehu mirënjohjen për punën serioze e rezultative. Raporti u miratua me 57 vota pro, 11 kundër, 6 abstenime dhe do t’i paraqitet për votim një seancës plenare të Parlamentit Europian, në muajin korrik.

Spiropali shprehu mirënjohje ndaj eurodeputetëve për mbështetjen e qartë të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Dje PE konfirmoi edhe njëherë se Shqipëria mbetet një histori suksesi, një vend pararojë për anëtarësimin dhe një shembull në rajon. Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e qëndrueshëm të Shqipërisë ndaj reformave kyçe, përfshirë, forcimin e shtetit të së drejtës, funksionimin e institucioneve të drejtësisë të dala nga reformat, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të pakicave si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi ajo.

“Eurodeputetët mirëpresin konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, linjëzimin e plotë të vazhduar e besnik të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, theksoi Spiropali.

“Eurodeputetët vlerësojnë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, mbështetjen e palëkundur për politikën e jashtme të BE-së dhe përkushtimin dhe menaxhimin e sfidave të përbashkëta si migracioni, siguria kibernetike dhe energjia”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se, “ishte shumë e rëndësishme dhe shumë inkurajuese që eurodeputetët mbështeten dhe përshëndetën objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”.

Spiropali gjithashtu dënoi me forcë ato që i cilësoi si “përpjekjet e atyre që nuk po lënë gjë pa bërë, gur pa lëvizur dhe fjalë të zezë pa thënë për vendin e tyre dhe kjo vetëm e vetëm për t’i bishtnuar përgjegjësisë”.

“E kam fjalën për misionarët që pasi kanë nxirë emrin dhe fytyrën e tyre, pasi kanë shkatërruar gjithçka rreth vetes, janë rikthyer me vrull të paparë për të nxirë dhe prishur edhe emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Me hidhësinë e humbësit të keq dhe pandreqësinë që i karakterizon janë sulur me vuxhut të padëgjuar të përdhosin emrin e Shqipërisë dhe të çdo shqiptari brenda e jashtë vendit, të përdhosin reputacionin e tokës tonë të përbashkët me teori komploti, me akuza qesharake dhe absurde, me të pavërteta të shpikura si nevojë e përpjekjes së fundit për mbijetesë politike”, tha kryetarja e Kuvendit.

“Nuk besoj se ka nevojë për lustrime sepse e shohim përditë pelegrinazhin absurd të udhëtimeve me një fletushkë nën sqetull të hartuar në Tiranë, që u shitet shqiptarëve e kësaj apo asaj organizate, që në fakt është veç trakti i fundit kundër Shqipërisë, progresit, imazhit dhe fytyrës së saj. Por mbi tentativa të tilla të dëshpëruara antikombëtare qëndron Shqipëria fisnike e punës dhe e përpjekjeve kombëtare për zhvillim dhe progres”, tha Spiropali më tej.

Por, sipas Spiropalit, mbi tentativa e tilla të dëshpëruara dhe antikombëtare, qëndron Shqipëria fisnike, e punës dhe e përpjekjeve kombëtare për zhvillim e progres.

“Qëndron Shqipëria europiane, e cila ka zhvilluar deri tani pesë Konferenca Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ka hapur negociatat për 4 grup-kapituj (Themelorët, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregu i Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Gjirthëpërfshirja) dhe po shqyrton me përfaqësuesit e Komisionit Europian një për një 24 kapituj. Brenda muajit qershor pritet hapja e negociatave edhe për dy grup-kapitujt e tjerë, Agjenda e Gjelbër dhe Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, vijoi ajo.

“Qëndron Shqipëria që njohin dhe pranojnë si partnere të denjë dhe të barabartë institucionet europiane dhe qeveritë e vendeve europiane, Shqipëria e cila organizoi Samitin e Komunitetit Politik Europian në Ballkanin Perëndimor. Qëndron Shqipëria, për të cilën Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola ka deklaruar mbështetjen e saj entuziaste për anëtarësim brenda vitit 2030”, deklaroi Spiropali.

Sipas saj, rezoluta e miratuar, “ajo që të gjithë ne duhet të lexojmë, është ajo që miratoi dje Parlamenti Europian, një nga strukturat e BE-së me të cilat po punojmë, po negocitojmë e me të cilat po mundohemi, ditë e natë të çojmë Shqipërinë në BE, dhe jo traktet e përkthyera nga shqip në anglisht”.

“Duhet të pranojmë se çdo vërejtje, parregullsi, ankesë, duhet të paraqiten e ta zgjidhin këtu, në përballje me institucionet që vetë kemi krijuar, me drejtësinë që vetë kemi reformuar, me rregullat e procedurat që vetë kemi miratuar. Ky është sovraniteti, kjo është aftësia për t’u përfshirë në BE”, vijoi Spiropali.

Ajo tha se “turistët tanë politikë kanë vendosur të harxhojnë frymën politike për të bërë të kundërtën, në një marrëzi të pashoqe, kundër vendit, pra edhe kundër vetes. Fali, o Zot se nuk dinë ç’ bëjnë! Ndërkohë, vota e popullit nuk fal e nuk fali as këtë radhë”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit ftoi të gjithë deputetët e kësaj legjislature dhe ata që do të hyjnë në Kuvend në shtator, të punojnë bashkë, me një synim madhor kombëtar, me më shumë transparencë, dialog e ndërveprim, në një bashkëbisedim të madh shoqëror lidhur me çfarë po bëjmë e çfarë duhet bërë, sepse ky është ushtrimi nga i cili nuk humbet askush e përfitojnë të gjithë.

“Shqiptarët vendosën më 11 maj ta kthejnë integrimin europian nga slogan i gjithëpranishëm, në një proces konkret e të prekshëm, në një realitet që duhet të ndihet çdo ditë e më shumë, dhe në këtë proces askush nuk është e nuk duhet të ndjehet i përjashtuar dhe kontributi i çdokujt është e do të jetë i mirëpritur”, përfundoi Spiropali.