Raporti i OECD për arsimin, Rama: Nga pasiguri te plotë, sot mësuesit kanë vend pune të garantuar - Gazeta Express
string(94) "raporti-i-oecd-per-arsimin-rama-nga-pasiguri-te-plote-sot-mesuesit-kane-vend-pune-te-garantuar"

Shqiperi

Gazeta Express

10/10/2025 16:18

Raporti i OECD për arsimin, Rama: Nga pasiguri te plotë, sot mësuesit kanë vend pune të garantuar

Shqiperi

Gazeta Express

10/10/2025 16:18

Gjatë prezantimit të raportit të OECD mbi rezultatet e Anketës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe Nxënies (TALIS), Kryeministri Edi Rama vuri në dukje domosdoshmërinë e mbështetjes së mësuesve të rinj, uljen e ngarkesës së punës dhe rritjen e rolit të teknologjisë në procesin mësimor.

Duke komentuar të dhënat e raportit, Rama tha se shqetësimi për mundësinë që mësuesit e rinj të braktisin profesionin për shkak të mungesës së mbështetjes është një sinjal serioz që qeveria e trajton me prioritet.

“Një pjesë e mësuesve të rinj raportojnë që mund ta lënë profesionin nëse nuk ndihen të mbështetur. Ky është një sinjal që ne e marrim shumë seriozisht,” u shpreh ai.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu progresin e bërë në rivendosjen e autoritetit të figurës së mësuesit dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në vendin e punës. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të programeve në fushat e artit dhe zejtarisë si pjesë e vizionit për një sistem arsimor gjithëpërfshirës.

“Mbështetja e mësuesve të rinj, ulja e ngarkesës së punës dhe integrimi gjithnjë dhe më i madh i teknologjisë janë objektiva që duhet t’i ndjekim bashkërisht. Ka një shqetësim që ne nuk na gjen të papërgatitur, është që një pjesë e mësuesve të rinj, raportojnë që mund ta lënë profesionin nëse nuk ndjehen të mbështetur të mjaftueshëm. Është një sinjal që ne e marrim shumë seriozisht. Angazhimi i vazhdueshëm i mësuesve është objektiv që konfirmohet edhe nga anketimi. Sot është një ditë e bukur për të celebruar diçka pozitive, që raporti i këtij anketimi e nënvizon.

Është një ditë për të falënderuar të gjithë mësuesit-et e kësaj Shqipërie, që na keni nderuar në këtë proces. Rivënia në vend e autoritetit të mësuesit është një sfidë shumë e madhe dhe e gjejmë shumë të lënduar. Sepse mësuesit nuk kishin asnjë garanci për vendin e punës, gjithçka e kishin të lidhur me teslën e partisë. Kurse sot jeni të paprekshëm në vendin tuaj të punës, pavarësisht bindjeve politike që keni. Nuk as lëvizje të mësuesve nga një vend në tjetrin. Duhet t’i jepet një shtysë më e madhe programit të arteve dhe të zejeve. Duhet të mendojmë edhe për shpërblimin ekstra që do të merren me këtë program.

E kuptoj gjithë vështirësinë për t’u përballur me ata çerrat, që janë ndryshe nga ç’kemi qenë ne. Kanë informacion shumë më shumë se ne, por më të pakontrolluar. Vijnë me shokun në xhep (telefona), sa dalin nga shkolla bëjnë një jetë tjetër. Megjithatë kjo është sfida, fakti që ne e dimë është gjysma e punës. Duhet të punojmë sa më shumë me njëri-tjetrin. Sa më shumë përkushtim, motivim dhe padiskutim që ne jemi në mbështetjen tuaj”, tha kryeministri Rama.