Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka specifikuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë përballur me sfida gjatë periudhës raportuese që përfshin ky Raport.
Sipas Raportit, DhSK-ja është përballur me sfida që përfshijnë pengimin e drejtësisë, ekzekutimin e dënimeve dhe kompensimin e viktimave.
Aty thuhet se gjatë këtij viti, gjykata e shkallës së parë dha aktgjykimin e dytë në një çështje për krime lufte, ndërsa aktualisht çështja është në Apel. Rasti ka të bëjë me çështjen e Pjetër Shalës.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të krijuara për të hetuar dhe ndjekur akuzat që rrjedhin nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, vazhduan zgjidhjen e rasteve në proces. Në vitin 2024, gjykata e shkallës së parë në DHSK shpalli aktgjykimin e saj të dytë në një rast për krime lufte; rasi është në Apel”, thuhet në raport.
Përveç kësaj, u përmend edhe aktgjykimi ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.
“DHSK gjithashtu shpalli një aktgjykim të ri kundër tre të akuzuarve për vepra kundër administrimit të drejtësisë dhe pranoi një aktakuzë tjetër për pengim të drejtësisë. Këto raste tregojnë sfidat me të cilat përballet DHSK, përfshirë pengimin e drejtësisë, zbatimin e dënimeve dhe kompensimin e viktimave kosovare”, thuhet në Raport.
Përveç kësaj, në Raportin për vendin, thuhet se EULEX-i ka ndihmuar autoritetet e Kosovës në forcimin e sundimi të ligjit, e gjithashtu DhSK-në dhe ZPS-në me mbështetje logjistike dhe operacionale.
“Që nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka ndihmuar autoritetet e Kosovës në forcimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit. Nën mandatin e saj aktual (i zgjatur deri në qershor 2027), EULEX ka vetëm funksion të kufizuara ekzekutive. Ai vazhdon të kryejë aktivitete monitorimi dhe këshillimi. Po ashtu, përmes Njësisë Policore të Specializuar, vazhdon të ketë rolin e reaguesit të dytë të sigurisë. EULEX gjithashtu ndihmon DHSK/ZPS me mbështetje logjistike dhe operacionale, në përputhje me mandatin e tij dhe legjislacionin e Kosovës”, thuhet në raport.