Raporti Humans Rights Watch, për lirinë e mediave në Kosovë, thekson se gazetarët janë përballur me kërcënime dhe pengesa në punën e tyre. Në raport theksohet edhe se Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 54 incidente kundër gazetarëve, shkruan Gazeta Express.
Aty theksohet edhe se, këto incidente përfshijnë një sulm fizik, një kërcënim me vdekje dhe 15 raste ngacmimi.
‘’Liria e medias
Gazetarët vazhduan të përballen me kërcënime dhe pengesa në punën e tyre. Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 54 incidente kundër gazetarëve, përfshirë një sulm fizik, një kërcënim me vdekje dhe 15 raste ngacmimi, gjuhe të urrejtjes ose fushatash shpifëse, kryesisht nga figura politike’’, thuhet në raport.
Tutje, theksohet edhe se Reporterët pa Kufij kanë vënë në dukje ‘’rritjen e ndërhyrjes politike, fushatat shpifëse, qasjen e kufizuar në informacion’’.
‘’Reporterët pa Kufij (RSF) e renditën Kosovën në vendin e 99-të nga 180 shtete në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, 24 vende më poshtë krahasuar me vitin e kaluar, duke e bërë atë renditjen më të ulët në zonën BE-Ballkani. RSF vuri në dukje rritjen e ndërhyrjes politike, fushatat shpifëse, qasjen e kufizuar në informacion, rregullimin abuziv dhe mbrojtjen e dobët të gazetarëve’’, thuhet në raport.
Në fund për lirinë e mediave, HRW, kujton se si sigurimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e ka penguar fizikisht gazetarin e T7, Genc Godanci, teksa ai është përpjekur t’i bënte pyetje Kurtit.
‘’Në shkurt, sigurimi i kryeministrit Albin Kurti e pengoi fizikisht gazetarin e T7, Genc Godanci, teksa ai përpiqej ta pyeste Kurtin për Indeksin e Lirisë së Medias të RSF-së’’, thuhet në raport.