Ylli i Barcelonës, Raphinha, ka përmendur gjashtë futbollistë që, sipas tij, mund ta mposhtin në garën për Topin e Artë 2025 – përfshirë edhe tre lojtarë të Real Madridit.
Anësori brazilian është cilësuar si një ndër kandidatët kryesorë për çmimin prestigjioz pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Barcelonën.
Ai ka realizuar 19 gola dhe ka dhënë 14 asistime në kompeticionet vendase, por është paraqitja në Ligën e Kampionëve ajo që e ka bërë më shumë përshtypje – me 12 gola dhe 9 asistime në vetëm 13 ndeshje, më shumë se çdo lojtar tjetër në garë.
Barça ka mundësinë të arrijë në finale të martën mbrëma kur përballet me Interin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale në “San Siro”, pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë ku Raphinha ishte ndër më të dalluarit.
Në një intervistë me gazetaren braziliane Isabela Pagliari, Raphinha u pyet për shanset e tij për Topin e Artë dhe u shpreh:
“Topi i Artë? Lamine [Yamal], Salah, Mbappé gjithashtu. Pedri, për mua, një nga më të mirët në botë. Vinicius, për mua, është gjithmonë kandidat, edhe nëse statistikat e tij janë pak më poshtë se vitin e kaluar. Dhe, natyrisht, Rodrygo është kandidat. Është spektakolar, fenomenal, jashtëzakonisht i talentuar – një nga më të mirët që kam parë ndonjëherë.”
Përkundër faktit se Real Madrid është eliminuar nga Liga e Kampionëve, Raphinha përfshiu Vinicius Jr., Rodrygo dhe Mbappé (që sapo ka firmosur me Realin) si kandidatë të denjë.
Ndërkohë, Salah ka pasur sezonin më të mirë të tij ndonjëherë në Premier League me 28 gola dhe 18 asistime në 35 ndeshje, ndonëse eliminimi i Liverpoolit në 1/8 e finales ndaj PSG mund të ndikojë negativisht në kandidaturën e tij.
Nga ana tjetër, bashkëlojtarët e Raphinhas, Lamine Yamal dhe Pedri, kanë qenë në formë të shkëlqyer – me Yamal që së fundmi ka kaluar brazilianin në listat e favoritëve për ta fituar Topin e Artë 2025./GazetaExpress/