Sergio Ramos është bërë mbrojtësi me më së shumti gola në histori të La Ligës, pas golit nga penalltia në fitoren e Real Madridit 2:1 kundër Real Sociedadit të dielën mbrëma.
Ramos, i cili shënoi nga pika e bardhë për ta thyer akullin në Anoeta, e ka kaluar legjendën e Barcelonës, Ronald Koeman, duke e shënuar golin e 68-të në karrierë në ligë: më së shumti në histori të saj, transmeton Gazeta Express.
Gëzimi i 34-vjeçarit, megjithatë, ishte jetëshkurtër sepse ai u detyrua ta braktisë fushën më vonë si pasojë e një lëndimi në gju.
Kamerat e kapën atë më vonë duke çaluar rrugës drejt bankës rezervë dhe me akull në gju.
Një legjendë në Spanjë, me të cilën e ka fituar Kampionatin Evropian (2 herë) dhe Kupën e Botës, ai e nisi karrierën profesionale me Sevillën në vitin 2004, për të cilën i shënoi dy gola në 39 ndeshje.
Ai iu bashkua Real Madridit më 2005 dhe është pjesë e tij që prej atëherë, duke luajtur rol shumë të madh në fitimin e La Ligës katër herë dhe disa herë Ligën e Kampionëve. /Gazeta Express/