Në një duel vendimtar në luftën për mbijetesë në Serie A, Lecce e arriti një fitore shumë të rëndësishme 2-0 ndaj Cagliarit, duke i marrë tre pikë kyçe në garën për qëndrimin në elitën e futbollit italian.
Golat vendimtarë erdhën në pjesën e dytë të ndeshjes: fillimisht Omri Gandelman shkëlqeu me një gol me kokë në minutën e 65-të, ndërsa më pas Ylber Ramadani e dyfishoi rezultatin në minutën e 76-të me një goditje të fuqishme drejt rrjetës.
Pas ndeshjes, mesfushori shqiptar u shpreh për kanalin DAZN se golin ia dedikon gruas së tij, e cila është shtatzënë, duke e treguar edhe emocionin personal pas këtij momenti të rëndësishëm, përcjell “Gazeta Express”.
Ai gjithashtu theksoi se lufta për mbijetesë po bëhet çdo javë e më e ashpër, por ekipi është i gatshëm ta japë maksimumin deri në fund të sezonit.
“Ia dedikoj golin gruas sime, sepse është shtatzënë dhe po e presim një fëmijë. Jam shumë i lumtur për këtë moment personal dhe për ekipin. Lufta për mbijetesë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, çdo ndeshje është si finale për ne. Duhet të vazhdojmë kështu, me përqendrim maksimal dhe sakrificë deri në fund.”
Me këtë fitore, Lecce e siguron një hap të rëndësishëm në distancimin nga zona e rënies, duke e krijuar një avantazh prej tre pikësh ndaj ekipeve që mbeten në zonën e rrezikimit pas 25 xhirosh në Serie A. /Gazeta Express