Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka kërkuar falje për deklaratën më 11 shkurt 2025 në “Pressing” të T7, që Kosova rrezikon të mbetet pa qeveri deri në qershor.
Ai thotë se ka besuar se Kurti pas pesë viteve në qeveri do të kuptojë rëndëisnë e stabilitetit institucional.
Deklarimi i Ramadanit vjen pasi edhe sot dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Kërkimfalje publike!
Më 11 shkurt 2025, pra dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare, në emisionin #Pressing #T7 te #LeonardKerquki kam deklaruar, ndër të tjera, sa vijon:
“…rrezikojmë që të mos ketë Qeveri deri në qershor…”
Siç duket, atëherë – sigurisht prej vullnetit të mirë – e kam nënvlerësuar kapacitetin dhe aspiratën uzurpuese të ish-Kryeministrit Kurti.
Ju kërkoj falje audiencës së #Pressingut dhe rrjeteve sociale personale për këtë huqje të plotë timen në analizë të zhvillimeve.
Kam besuar që Kurti do të kuptojë – disa javë pas zgjedhjeve – se populli ia ka rrëzuar ‘Referendumin’ dhe, kështu, ia ka rrëzuar ofertën për Qeverinë Kurti3!
Gabimi është imi!
Gabim që kam besuar se Kurti – pas gati 5 vitesh në Qeveri – ka filluar të kuptojë rëndësinë e stabilitetit institucional shtetëror dhe Rendit Kushtetues si pjesë e rëndësishme e Sigurisë Kombëtare.
Për të tjerët brenda VV-së, më falni por as atëherë dhe as tash nuk besoj që janë diçka tjetër përpos robotë votimi të pa mendje në Kuvend!
Përndryshe, si është e mundur që askujt nuk i dëgjohet zëri në tërë këtë maskaradë?
Këtë nuk po e bën Lista Serbe, por udhëheqësi i tyre, që nuk ka mësuar gjë për Sigurinë Kombëtare as pas gati 5 vitesh që udhëheq shtetin (edhe sektorin e sigurisë!).
Po të kishte të paktën një patriot-e aty, do të distancohej nga veprimet kundër Rendit Kushtetues të ish-Kryeministrit Kurti!
Ju falemnderit për mirëkuptim.