Para ndeshjes së rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Europës ndaj FCSB-së, trajneri i kampiones së Kosovës, Drita, Zekirija Ramadani dhe portieri Faton Maloku folën për mediat në Rumani.
Ramadani tha: “Nesër na pret një përballje mjaft e fortë kundër një skuadre shumë cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari siç është FCSB.”
Për eliminimin e FCSB-së nga Shkëndija, ai shtoi: “Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij pikërisht nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati sportiv luan rol të rëndësishëm.”
Ai theksoi se skuadra është përgatitur seriozisht: “Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari të fortë, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është e pranishme te FCSB.”
Sa i përket deklaratave nga kampi rumun, Ramadani tha: “Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll.”
Portieri Faton Maloku, nga ana tjetër, tha: “E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Nëse i zbatojmë ato që na ka treguar trajneri, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.”