Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë një takimi elektoral me banorët e Burrelit, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit për të ardhmen e vendit, duke paralajmëruar se vendimmarrja e kësaj dite nuk është thjesht politike, por vendimtare për procesin e integrimit evropian. Ai gjithashtu shpalli objektiva të qarta për përmirësimin e mirëqenies së pensionistëve.
“Nuk mund të luajmë domino me fatin e Shqipërisë në 11 maj. Duhet të bëhemi sa më shumë. Është një moment historik për të çuar vendin drejt Evropës”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se Bashkimi Evropian “nuk është një derë që hapet sa herë dikush troket, por një shtëpi ku të 27 vendet duhet të bien dakord për të pranuar dikë”. Ai kritikoi partitë e reja dhe figurat politike që, sipas tij, nuk ofrojnë asnjë zgjidhje reale, por synojnë destabilizimin.
“Nuk mund të jetë fati ynë në dorën e një ‘bufi kënete’ që kthehet nga Brukseli dhe i flet Evropës sikur vjen nga ndonjë diktaturë afrikane”, tha Rama.
Në vijim, Rama shpalli një angazhim të ri për mbështetjen e pensionistëve. Ai tha se qeveria synon që pensioni mesatar të arrijë 400 euro, ndërsa pensioni minimal do të rritet në 200 euro, përmes një procesi të kujdesshëm dhe të qëndrueshëm rritjeje.
“Sot pensioni mesatar për ata që kanë dalë pas reformës arrin në 300 euro. Ne do të ecim hap pas hapi për ta çuar në 400 euro. Edhe ata që kanë dalë para reformës nuk do t’i lëmë vetëm me bonuse – do t’i mbështesim më shumë”, u shpreh Rama.
Në përmbyllje, Rama tha se Shqipëria është shumë afër përmbushjes së ëndrrës historike për të qenë pjesë e BE-së, dhe ky është momenti për të bërë “kapërcimin epokal”.
“Na ka ardhur në dorë të mos jemi më milet i dorës së dytë. Tani është koha të bëhemi qytetarë të barabartë në Evropë”, përfundoi ai.