Rama "valë" shkarkimesh në tre bashki të Shqipërisë pas zgjedhjeve, opozita e akuzon për "mbulim" skandalesh mjedisore - Gazeta Express
string(113) "rama-vale-shkarkimesh-ne-tre-bashki-te-shqiperise-pas-zgjedhjeve-opozita-e-akuzon-per-mbulim-skandalesh-mjedisore"

Shqiperi

Gazeta Express

08/07/2025 20:25

Rama “valë” shkarkimesh në tre bashki të Shqipërisë pas zgjedhjeve, opozita e akuzon për “mbulim” skandalesh mjedisore

Shqiperi

Gazeta Express

08/07/2025 20:25

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike. Gjithçka startoi katër ditë më parë kur Rama zhvilloi një vizitë në bashkinë e Vlorës ku u tregua kritik për punën e pushtetit vendor në qytetin që ka hyrë në zemër të sezonit turistik, duke u përballur një herë me problem të furnizimit me ujë e më pas me zjarret në ish fushën e mbetjeve, tymi i të cilave shpërndahet më pas mbi zonat e banuara.

Në përfundim të mbledhjes ai i dha urdhër kryebashkiakut Ermal Dredha që të kërkojë dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të tij. Një urdhër që është zbatuar pa mëdyshje, por që duket i pazakontë, për një kryeministër, pavarësisht se kryebashkiaku i përket partisë së tij. Drejtorët dhanë dorëheqjen ndërsa Kryetari i Bashkisë së Vlorës, i ka firmosur sot largimet e tyre.

Pas Vlorës, Rama zbarkoi sot në bashkinë e Fierit dhe në atë të Durrësit ku gjatë takimeve vuri thekson te aksioni për pastrimin e hapësirave publike dhe përforcimin e administratës vendore. Njësoj si në Vlorë edhe në Durrës e Fier ai ka  kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të drejtorive rajonale, nënkryetarëve dhe drejtorëve të departamenteve, duke theksuar nevojën për një “hov të ri” në administratën lokale. Në argumentin të kërkesës së tij Rama tha se kjo vjen si pjesë e një strategjie për të bërë këtë qytet më të zhvilluar dhe më të pastër.

Në kuadër të kësaj nisme Rama denoncoi se në Theth është ndërtuar një fshat turistik pa leje. Një ditë pas denoncimit të Ramës, “fshati turistik” nisi të shembej. Dje Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe autoritetet lokale nisën aksionin për shembjen e objekteve pa leje. Në gjithë sipërfaqen ku IKMT vijon me operacionin për prishjen e strukturës së betonit dhe sistemimit të plotë të sheshit ishin të vendosura 10 kabina, të përshtatura në bujtina. Pikërisht nga ky fshat turistik i improvizuar mori shtysë, dhe kryeministri Rama i cili denoncoi ngritjen e objekteve në zonën e mbrojtur në kundërshtim me ligjin.

 Kreu i qeverisë, akuzoi prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për të cilën tha se kishte justifikuar mosfillimin e hetimit penal me argumentin se bujtina në fjalë ka vetëm konteniere pa themele dhe nuk konsiderohet ndertim la leje. Deri tani në total vetëm në Theth janë hequr rreth 20 objekte të cilat ishin ngritur në hapësira publike. Ndërkohë që ky operacion pritet të vijojë.

Nga ana tjetër opozita thotë se ky aksion i bujshëm i qeverisë, sidomos në Theth, bëhet per të zbehur vëmendjen nga djegia e mbejtjeve në Elbasan dhe Vlorë prej një jave.

“Edi Rama, për të mbuluar helmimin që u bëri qytetarëve të Elbasanit me një zjarr që qyteti që nuk e kishte parë kurrë gjashtëditor, zjarr në të cilin u prodhuan toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriun, zjarr në të cilin janë prodhuar dioksina dhe shumë lloje toksinash të tjera me pasoja katastrofike, zjarr për të cilin nuk ka asnjë përgjegjësi për Edi Ramën dhe që përbën krimin mjedisor më të rëndë në historinë e vendit, shkon e merret me kontejnerët e një krimineli, i cili sipas dosjes ‘Metamorfoza’ ishte angazhuar për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës…Dhe tani merret me kontejnerët. Do të merret me krimin mjedisor të disa kontejnerëve dhe jo me gjëmën që i bëri Elbasanit dhe Vlorës me djegien e fushave të plehrave si në Mesjetë”, tha Berisha.