Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, ku vlerësoi se është hapur një kapitull i ri edhe në marrëdhënien mes Shqipërisë si vend amë dhe diasporës së hershme dhe asaj të re. Ai nënvizoi se kur mori detyrën kishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës.
“Programi ynë qeverisës i këtij mandati që po shkon drejt përfundimit ka një pjesë të veçantë që i kushtohet diasporës. Një kalim i shpejtë i asaj çka është bërë në bazë të atij programi tregon se është hedhur një bazë mbi të cilën ka shumë akoma për të ndërtuar”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se kur morën detyrën kishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës.
“Kjo në aspektin e një ngrehine institucionale që të mundësonte një marrëdhënie të kanalizuar përmes institucioneve në funksion të mbështetjes së shqiptarëve jashtë atdheut, por edhe në funksion të mundësimit të shumë shërbimeve për të cilat ata kanë nevojë dhe të cilave shteti duhet t’i japë cilësinë e nevojshme”, tha Rama.