Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me krijimin e ministres së parë në botë për Inteligjencën Artificiale, Shqipëria nuk po përqafon thjesht të ardhmen, por po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar atë.
Në Tiranë zhvilloi sot punimet Kongresi Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, një hapësirë dialogu dhe mundësish të reja. Në kongres, të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, si dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave. Fjalën e saj në aktivitet e mbajti edhe ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Duke marrë fjalën në këtë Kongres, Rama theksoi se “tashmë gjendemi në një agim të ri për Shqipërinë, si një komb që guxon të udhëheqë e jo të ndjekë, në ballë të shkencës dhe teknologjisë në rajon.
“Duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, ministrja e parë në botë e IA, Shqipëria nuk po përqafon thjesht të ardhmen por po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar atë. Diella nuk është një lodër, nuk mund të jetë më ndryshe sesa kaq. Përmes saj ne kemi shndërruar atë që ka qenë domain, në algoritëm transparent për të shndërruar pushtetin e shtetit në pushtetin e shërbyesit”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se “herët më shumë sesa vonë do të jemi në gjendje të ofrojmë përmes Diellës një instrument të jashtëzakonshëm për t’i bërë tenderat publikë të hapur, transparentë dhe me integritet, siç nuk është parë më parë”.