Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se “ky mandat i ri është provimi ynë i madh i shtetit”.
Kreu i qeverisë theksoi se, “kohëzgjatja e këtij provimi përkon me kohëzgjatjen e planit ambicioz kombëtar për të ulur Shqipërinë në tryezën e familjes së bashkuar evropiane”.
“Programi ynë i ri qeverisës është fletorja e zgjidhjeve të provimit, por suksesi i këtij provimi historik do të varet i gjithi nga aftësitë e secilit dhe secilës dhe këmbëngulja jonë e përbashkët për t’i kaluar zgjidhjet nga letra e programit në realitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se, “Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati”.
“Shqipëria Evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do të ndërmarrim”, tha Rama.