Tirana do të kalojë në zgjedhje të parakohshme pas një vendimi të papritur nga Kryeministri Edi Rama. Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama ka dhënë porosi Këshillit Bashkiak për të nisur procedurat e shkarkimit të Erion Veliajt që t’i hapet rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë.
“Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të shkarkimit të kryebashkiakut të zgjedhur, pavarësisht se dhe kjo duhet parë nga parlamenti i ri, pasi kuadri ligjor lë për të dëshiruar në rastin kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë jo se ai nuk do të paraqitet, por se është i penguar nga paraburgosja”, shtoi Rama.
Rama e cilësoi situatën një emergjencë, pasi sipas tij, “prej 7 muajsh Tirana nuk ka as një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, as një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia të lidhur në detyrë”.
“Sot kemi një kryetar të zgjedhur tri herë nga populli i kryeqytetit të cilit i është mohuar e drejta e gjykimit në liri. I është bërë një gjyq i gjatë gjysmë të vërtetash në tezgat e pazarit mediatik dhe i pasqyrave të gjykatave sociale – madje në shkelje të hapur të ligjit dhe të çdo zakoni janë nxjerrë nga brenda nga ato tezga edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik, diktatorial jo e jo”, shtoi Rama.
“Sot kemi një kryetar bashkie i zgjedhur tre herë, i dënuar jo për detyrën si kryetar. I janë nxjerrë edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial, jo e jo. Është shkelja më e hapur dhe më flagrante në shpërdorim të detyrës, nga ana e tyre që duhet të mbajë nën kontroll hetimet. Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta, përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj për përkushtimin. Por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë. Mendoj se Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për drejtimin e Bashkisë Tiranë”, tha Rama.
Në fund ai propozoi si kandidate të PS, ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu.
“Ogerta Manastirliu është forca e qetë e Tiranës, e punonjëses dhe drejtueses së dikurshme të punëve sociale në bashkinë e Tiranë dhe gruas e nënës që ka rritur vajzat e saj të shkëlqyera në këtë qytet, e qytetares dhe menaxheres shembullore që nevojitet në këtë situatë për të kuruar plagët e pahapura të qeverisjes së çalë të këtij viti tejet të vështirë për kryeqytetin dhe për të çuar punën tonë transformuese për Tiranën 2030 kryeqytet i Europës së Ballkanit”, tha Rama.
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...