Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rruga e Arbrit dhe tuneli i Murrizit sa të jetë ai kryeministër nuk do të jenë me pagesë.
Në bashkëbisedimin live me qytetarët në platformat sociale, Rama u shpreh se, “tuneli i Murrizit është i ndërtuar me PPP (partneritet publik-privat), e gjithë rruga e Arbrit, që do të thotë i ka dalë shtetit shqiptar dhe iu ka dalë taksapaguesve shumë më lirë sesa rrugët që bëheshin sidomos dikur me tenderë që pastaj ktheheshin në histori abuzimi duke shtuar e shtuar fonde për punime të paparashikuara”.
“Këtu kontrata qysh në krye të herës u bë që për çdo gjë të paparashikuar e mbulon sipërmarrësi privat dhe imagjinoni nëse tani tuneli të ishte në mëshirën e fondeve publike sa do na kishte kushtuar rruga e Arbrit”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që, shtoi kreu i qeverisë, “kostot shtesë, në bazë të kontratës i mori përsipër sipërmarrësi”.
“Ajo që do të bëjë shteti është që do ta shlyejë detyrimin, por jo detyrimin mbi koston shtesë, sepse atë e ka marrë përsipër sipërmarrësi, por detyrimin mbi fondin limit të parashikuar”, theksoi Rama.
Kryeministri siguroi se rruga e Arbrit dhe tuneli i Murrizit sa të jetë ai kryeministër nuk do të jenë me pagesë.
“Ndërkohë që rruga e Arbrit dhe tuneli sa të jem unë këtu nuk do kenë taksë, që të jemi të qartë. Nuk do kenë tarifë, nuk do kenë tolls siç quhen të rrugës. Sa të jem unë. Më mbrapa shihni e bëni. Po sa të jem unë jo njëherë që të jemi shumë të qartë”, tha Rama.