Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat se policia e Pogradecit u mundua të fshihte ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë ku mbeti i vrare Egli Proga, si pasojë e dhunës nga Denis Meçe.
Rama thotë në reagimin e tij se sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë prova që hedhin poshtë akuzat se ngjarja u tentua të fshihej, apo se ambulanca u vonua. Ai thotë se akuza e Prokurorisë “vrasje nga pakujdesia”, tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, por ‘nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral’.
Lidhur me këtë ngjarje kreu i qeverisë ka bërë edhe një tjetër reagim ku shkruan në rrjetin social “X”, se qëllimisht po krijohet një maskaradë kundër policisë dhe urgjencës kombëtare.
Reagimi i Edi Ramës:
Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!
Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.
Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit.
Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.
Edhe këtë vit, sikur vitin e kaluar, Qeveria subvencionon nëse bleni pajisje efiçiente për ngrohje gjatë dimrit dhe freski...