Rama, prokurorja Gjeli dhe ministri Manja përplasen për ndërtimet në Theth - Gazeta Express
string(73) "rama-prokurorja-gjeli-dhe-ministri-manja-perplasen-per-ndertimet-ne-theth"

Shqiperi

Gazeta Express

11/07/2025 18:08

Rama, prokurorja Gjeli dhe ministri Manja përplasen për ndërtimet në Theth

Shqiperi

Gazeta Express

11/07/2025 18:08

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar prokuroren Elsa Gjeli për mosmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me ndërtimet pa leje në Theth. Në një deklaratë, ai tha: “Në një aspekt, Policia e Shtetit ka funksionuar, ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori, dhe siç është bërë e ditur në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar një ngrehinë, por një fshat i tërë turistik, në mes të Thethit, një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, dhe ka bërë një ese filozofike me pafajësinë e ndërtimit pa leje.

Prokurorja Elsa Gjeli reagoi ndaj kritikaeve të Kryeministrit dhe në një letër drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) tha se deklaratat e Ramës kishin cenuar dinjitetin dhe pavarësinë e saj profesionale. “Këto deklarata janë bërë në kapacitetin e tij si Kryeministër, duke ndikuar në perceptimin publik, duke më ekspozuar ndaj një lincimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv.” Ajo kërkoi që KLP të ndërmerrte hapa për të mbrojtur magjistratët nga sulmet politike dhe të garantonte sigurinë dhe integritetin e tyre profesional.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dërguar një kërkesë në Inspektorinë e Lartë të Drejtësisë (ILD) për nisjen e procedimit disiplinor ndaj prokurores Elsa Gjeli. Në shkresën e tij, Manja tha: “Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30.05.2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren.” Ai shtoi se ajo kishte “cenuar ushtrimin e hetimit ndaj kallëzimit që bëri Policia e Shkodrës”, duke nënvizuar se hetimi kërkonte një vlerësim më të thelluar dhe se ndërtimi në Theth ishte pa leje.