Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht skuadrën fituese të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Përmes një videoje dinamike dhe përmbledhëse, Rama solli në vëmendje eksperiencën parlamentare të secilit deputet të PS-së, duke theksuar edhe rolin e tyre në vizionin “Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian”.
Partia Socialiste siguroi 12 mandate në qarkun e Fierit, pesë prej të cilëve nga lista e mbyllur dhe shtatë nga lista e hapur, si dëshmi e mbështetjes së gjerë dhe përfshirjes qytetare në procesin zgjedhor.
Deputetët e qarkut Fier janë si më poshtë:
Lista e mbyllur:
Belinda Balluku
Petrit Malaj
Kiduina Zaka
Erjo Mile
Ana Nako
Lista e hapur:
Antoneta Dhima
Afloral Haxhiu
Ceno Klosi
Elton Korreshi
Klevis Jahaj
Zegjine Çaushi
Ramion Kurti
Në një risi të veçantë për këtë legjislaturë, Partia Socialiste ka vendosur të rikthejë Akademinë Politike – një format edukimi dhe orientimi politik për deputetët e rinj që ulen për herë të parë në sallën e Kuvendit. Kjo akademi synon të përgatisë brezin e ri të ligjvënësve me standarde bashkëkohore, në përputhje me aspiratat e Shqipërisë për integrim të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.