Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në Laboratorin e Medieve Digjitale, në departamentin e Gazetarisë pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të Universitetit të Tiranës e kosideroi politikën shqiptare një kaos ngjyrash.
I pyetur nëse nëse sot do të kishte mundësinë të pikturonte politikën shqiptare, çfarë ngjyrash do të përdorte, Rama tha se, “nuk mendoj se ka një ngjyrë “të keqe” apo një ngjyrë “të mirë””.
“Unë nuk mendoj që e zeza është fajtore meqë është e zezë, se për shembull, këtu e zeza bën një punë shumë të lavdërueshme dhe të respektueshme dhe nga ana tjetër mendoj që politika shqiptare i ka absolutisht të gjitha ngjyrat nga më të zbehtat, tek më të ndezurat. Por, do kujdesesha që të mos lija asnjë lloj ngjyre pa futur aty brenda. Domethënë një kaos koloristik”, theksoi Rama.
Sa i përket një figure historike që e ka inspiruar dhe që sot po ta kishte këshilltarin e tij mbase do t’i merrte një mendim për diçka, Rama u shpreh se njëri prej tyre është Sharl dë Gol (Charles de Gaulle).
“Janë shumë mësuesit që historia na ka vënë në dispozicion dhe që mund të na ndihmojnë përmes librave për aq sa ne jemi natyrisht në gjendje ti kuptojmë deri në fund, por për t’ju dhënë një, por jo se ky “një” është i vetmi ose se të tjerët, por ai që më vjen menjëherë në mend për shembull është Sharl de Gol dhe gjithçka që ai bëri për Francën dhe sot është gjithmonë e më e dhimbshme mungesa e tij edhe pse në një kohë tjetër, edhe pse në një kontekst tjetër”, tha kreu i qeverisë.
Një tjetër pyetje me të cilën u përball ishte sesi ka menduar që të adresojë papunësinë e të rinjve dhe ikjen e trurit nga Shqipëria.
Rama tha se, “kjo është një pyetje që me të drejtë bëhet prej kohësh tanimë dhe është një përgjigje që nuk ndryshon. Duhet të punojmë me këmbëngulje dhe duhet të bëjmë durim se kapërcimet e atilla që Shqipëria të jetë në gjendje t’u ofrojë të rinjve që ikin atë që ata presin ta marrin menjëherë atje ku shkojnë, nuk bëhen dot në një kohë të shkurtër. Nuk bëhen dot thjeshtë nga dëshira, por rruga është kjo: Kalimi nga një laborator analog i vjetër, tek ky laborator është një hap më shumë drejt stimulimit tuaj për të pasur më shumë dëshirë për t’iu përkushtuar këtyre instrumenteve të rinj që keni këtu dhe për t’u ndjerë më mirë këtu në vendin tuaj, hap pas hapi”.