Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte këtë të hënë në Vlorë për të inspektuar zbatimin e ultimatumit për lirimin e hapësirave publike, ndërsa në kthim reagoi ashpër për një rast ndërtimi pa leje në Theth, ku akuzoi drejtpërdrejt prokurorinë për mosveprim.
Nga qyteti bregdetar, Rama theksoi se aksioni për zaptimin e trotuareve dhe hapësirave publike është një përpjekje për të vendosur rregull dhe jo për të dëmtuar bizneset.
“Nuk ka asnjë tendencë për t’u zënë frymën bizneseve. Qëllimi është të harmonizohen interesat mes qytetarëve dhe sipërmarrjes. Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm”, tha Rama, duke shtuar se të gjitha njësitë e shërbimit përgjatë Lungomares do të standardizohen me një dizajn të ri.
Ai u ndal edhe te problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, duke fajësuar “keqmenaxhimin disa vjeçar të ujësjellësit të Vlorës” si shkaktar të situatës së rënduar. Sipas tij, është konstatuar madje përdorimi i ujit të pijshëm për vaditje në mënyrë abuzive.
Një tjetër pikë që ngriti Rama ishte dorëheqja e 21 drejtorëve në bashkinë e Vlorës.
“Ata që janë larguar kanë treguar se nuk ishin të përshtatshëm për detyrën. Kjo nuk do të thotë se janë të përjashtuar përfundimisht, por në këtë fazë nuk do të rimerret askush në drejtim. Do të sjellim të rinj që janë të gatshëm të shërbejnë me integritet”, deklaroi ai.
Ai përsëriti që të gjithë emërimet në nivel lokal dhe qendror do të bëhen mbi bazën e meritës dhe shërbimit qytetar.
Gjatë kthimit nga Vlora, Rama reagoi edhe për një çështje në zonën turistike të Thethit, ku sipas tij është ngritur një “fshat i vogël turistik pa asnjë leje ndërtimi”.
Kreu i qeverisë akuzoi drejtpërdrejt prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për mosveprim dhe kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Në Theth është bërë një masakër urbane në mes të një pasurie natyrore të jashtëzakonshme. Ndërsa institucionet kanë reaguar, prokuroria ka vendosur mosfillimin e çështjes. Zonja Gjeli nuk e meriton të paguhet me taksat e shqiptarëve”, tha Rama në një komunikim publik.
Sipas tij, ky është “kulmi i një zinxhiri hallkash të paaftësisë ose të qëllimit për të mbrojtur interesat private mbi interesin publik”.
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...