Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinjtë në Shkodër, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 Majit, duke e cilësuar këtë datë si një mundësi për shqiptarët që të japin një mesazh të qartë për anëtarësimin në BE.
“Mundësia për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian është reale, konkrete dhe aktuale. Nuk është më një perspektivë e largët, por një proces që po ndodh tani. Më 11 Maj, shqiptarët duhet të shohin përtej të majtës e të djathtës dhe të tregojnë qartë se e duan Shqipërinë në BE“, u shpreh Rama.
Ai nënvizoi se 1 mijë ekspertët e angazhuar në procesin e negociatave duhet të vazhdojnë punën e tyre pa ndërprerje dhe se rezultati i zgjedhjeve duhet të japë një sinjal të fortë për Brukselin.
Rama solli si shembull Maqedoninë e Veriut, e cila dikur ishte më pranë BE-së, por për shkak të zhvillimeve të brendshme, tani është më larg. Ai theksoi se një vonesë e tillë nuk duhet të ndodhë me Shqipërinë.
“Ne jemi te dera e BE-së. Nuk duhet ta mbyllim atë me duart tona. Hyrja në BE sjell përfitime për çdo shqiptar, kudo që të jetë, edhe për ata që jetojnë jashtë vendit“, shtoi Rama.