Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral në Fushë-Krujë, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ku tha se janë gati për shpërndarje edhe 350 banesat e fundit për familjet e prekura nga tërmeti. Rama u shoqërua nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, kryebashkiaku Artur Bushi dhe kandidatë të Partisë Socialiste.
“Janë shpërndarë apartamente dhe po vijon puna për pjesën e mbetur. Shpërndarja e 350 apartamenteve të fundit ka mbetur për shkak të periudhës zgjedhore dhe do bëhet sapo të përfundojë ky proces. Do realizojmë edhe ëndrrën e vjetër të Krujës për një rrugë lidhëse direkte me Tiranën”, deklaroi Rama.
Duke përdorur tabela hologramike, ai prezantoi statistika dhe e krahasoi qeverisjen e PS me atë të para vitit 2013. Rama kritikoi opozitën dhe mediat që, sipas tij, “vetëm nxijnë realitetin” dhe përmendi rritjen e buxhetit, uljen e papunësisë dhe rritjen e pagave.
Ai njoftoi edhe një ndryshim të rëndësishëm për ndihmën ndaj familjeve me fëmijë: “Nga viti 2026, bonusi i bebes nuk do jetë më një çek i vetëm në maternitet, por një mbështetje mujore në varësi të numrit të fëmijëve. Deri më tani, kemi dhënë 400 euro për fëmijën e parë, 800 për të dytin dhe 1200 për të tretin, ndërsa dikur ‘këneta’ e kishte bonusin vetëm 50 euro.”
Gjatë fjalimit pati edhe një episod ndërprerjeje, ku një qytetar i hodhi thirrjen “Rama ik!”, gjë që Rama e priti me batutë: “Ah vdeksha unë për ty! E pritsha… E tha pikërisht kur përmenda bufin. Ju nuk e patë, por kishte edhe flokët e lagur.”Në mbyllje, kreu i qeverisë tha se deri në vitin 2030 buxheti do trefishohet në mbi 30 miliardë euro, pagat e mjekëve do arrijnë 2,000 euro, ato të mësuesve 1,250 euro dhe Shqipëria do ketë ushtrinë më të mirëpaguar në rajon.