Rama në Walk21: Tirana më e gjelbër, turistët kapin rekord këtë vit - Gazeta Express
string(65) "rama-ne-walk21-tirana-me-e-gjelber-turistet-kapin-rekord-kete-vit"

Shqiperi

Gazeta Express

07/10/2025 14:09

Rama në Walk21: Tirana më e gjelbër, turistët kapin rekord këtë vit

Shqiperi

Gazeta Express

07/10/2025 14:09

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në konferencën ndërkombëtare Walk21, e cila në edicionin e saj të 25-të mblodhi në Tiranë ekspertë nga 54 vende të botës, për të ndarë përvoja dhe ide mbi politikat urbane që promovojnë ecjen si zgjedhje të përditshme.

Në hapje të fjalës së tij, Rama theksoi rritjen e ndjeshme të turizmit në vend, duke bërë me dije se Shqipëria pritet të kapërcejë shifrën e 12 milionë turistëve gjatë vitit 2025.

“Është kënaqësi të shohim përfaqësues nga 54 shtete në këtë sallë, në një qytet që 54 vite më parë ishte krejt ndryshe – pa makina private, me vetëm 5 mijë automjete në gjithë vendin, dhe me rreth 2 mijë turistë në vit. Sot, ky numër ka kaluar 12 milionët”, tha kryeministri.

Ai solli një krahasim mes Tiranës së periudhës komuniste dhe transformimeve të pas viteve 2000, duke vënë në dukje se pas rrëzimit të sistemit, hapësirat publike u uzurpuan nga ndërtimet informale dhe u zhdukën pjesa më e madhe e zonave të gjelbra.

“Përveç liqenit dhe disa pemëve të vjetra, gjelbërimi që shihni sot nuk ekzistonte. Lumi i Lanës ishte i padukshëm nga ndërtesat që e rrethonin, dhe mbi 90% e pemëve që sot zbukurojnë rrugët, nuk ishin fare”, tha Rama.

Duke iu referuar kohës kur mori detyrën si kryetar bashkie në vitin 2000, Rama përmendi ndërhyrjet e asaj kohe për të kthyer hapësirat publike qytetarëve. “Në Tiranë u shembën mbi 10 mijë ndërtime të paligjshme, ndërsa nga shtrati i Lanës u larguan mbi 132 mijë ton beton”, theksoi ai, duke shtuar se në kryeqytet u mbollën mbi 55 mijë pemë.

Në vijim, kryeministri u ndal edhe te aksionet aktuale të qeverisë për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e përkohshme dhe zaptimet.

“Jemi në një kapitull të ri, ku po ndërhyjmë për të larguar strukturat e përkohshme që kanë zënë trotuaret, përfshirë kafenetë dhe kioskat. Hapësirat publike i përkasin qytetarëve”, përfundoi ai.