Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Vlorë me kandidatët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, kërkoi hapjen e PS-së dhe kritikoi përfaqësuesit lokalë për mungesën e angazhimit me qytetarët. Ai theksoi se performanca e Bashkisë Vlorë nuk ka qenë në nivelin maksimal, pasi nuk është mbështetur plotësisht nga strukturat lokale të partisë.
“Kjo gjë bën që performanca e Bashkisë Vlorë të mos jetë në maksimum, sepse në vend që ta mbështesin deri në fund, i vënë stërkëmbësha edhe vetë bashkisë“, u shpreh Rama.
Kryesocialisti lavdëroi drejtuesin politik të qarkut, Bledi Çuçi, për punën që ka bërë për të hapur partinë dhe për të kapërcyer “barrierat tradicionale” që, sipas tij, kanë penguar përfshirjen e të gjithëve në PS.
“Ke arritur të kapërcesh barrierat tradicionale që ka vendosur PS-ja e territorit këtu, duke e konsideruar territor që vetvetiu është me PS-në dhe duke mbyllur faktikisht dyer e jo hapur ato,” tha ai.
Rama përmendi edhe ndryshimin e ekipit në Vlorë, duke kritikuar deputetët aktualë për mungesën e angazhimit dhe për faktin që nuk kanë krijuar lidhje me qytetarët.
“Ne na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës. Deputetë që, përtej faktit që nga pikëpamja personale i konsideroj miq, nuk kanë rrezatuar asgjë në raport me atë që duhet të rrezatonin këtu në Vlorë dhe mbi të gjitha nuk kanë krijuar dot me njerëzit dhe për njerëzit atë sinergji mes të qenit qytetar dhe të qenit përfaqësues të tyre”, tha Rama.
Ai veçoi dy kandidatet për deputete të PS-së në Vlorë, Eriona dhe Zamira, duke i quajtur “dy shtrigat këmbëngulëse” që do të punojnë për hapjen e partisë.”Dua të besoj që nga ata që janë në listën e mbyllur dhe këtu kam parasysh qoftë Erionën, qoftë Zamirën, që dua të besoj se do të jenë pika referimi këtu në qytet për njerëzit dhe do të jenë gjithashtu dy shtrigat këmbëngulëse për të nxitur hapjen e PS-së“, deklaroi ai.
Ndërkohë, Rama ndau edhe një eksperiencë nga një takim me 100 të rinj të FRPD-së në Vlorë, duke theksuar se ata nuk kanë lidhje me “surratin e opozitës në Tiranë”. Ai kritikoi përfaqësuesit e PS-së që nuk trajtojnë me respekt të rinjtë që i përkasin një partie tjetër.
“Një ndjesi faji ndaj tyre nuk më është ndarë. Ndjesa e fajit për faktin që ata, pavarësisht se janë të rinj të angazhuar në një forcë politike tjetër, më kanë vënë në pozitë të vështirë kur më kanë thënë si sillen përfaqësuesit e PS-së me ata që nuk i konsiderojnë pjesë të të njëjtës anë. Kjo është minimumi etik për një forcë politike si e jona“, theksoi Rama.Ai nënvizoi se pas zgjedhjeve të 11 majit, do të ketë tolerancë zero për ata përfaqësues të PS-së që nuk respektojnë të rinjtë e angazhuar në parti të tjera.”Dua që ne së bashku të jemi në një mendje që pas 11 majit duhet të vendosim tolerancë zero ndaj kujdo përfaqësuesi të PS-së që nuk i jep respekt dhe nuk i trajton në mënyrë të barabartë anëtarët e këtij komuniteti, aq më tepër për shkak të rreshtimit në një forcë tjetër politike”, tha ai.Në fund, Rama u shpreh se brenda pak ditësh do të publikohen objektivat e programit qeverisës.”Ne kemi program qeverisës, jo elektoral. Çfarë themi të bëjmë duhet ta bëjmë,” përfundoi ai.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...