string(102) "rama-ne-takimin-permbylles-ne-vlore-ps-mund-te-marre-10-mandate-aeroporti-do-punesoje-mbi-1000-te-rinj"

Shqiperi

Gazeta Express

08/05/2025 19:24

Rama në takimin përmbyllës në Vlorë: PS mund të marrë 10 mandate, aeroporti do punësojë mbi 1000 të rinj

Shqiperi

Gazeta Express

08/05/2025 19:24

Vlora ishte ndalesa e fundit e kryesocialistit Edi Rama në kuadër të fushatës elektorale, ku ai zhvilloi takimin përmbyllës këtë të enjte. Në një atmosferë entuziaste, Rama theksoi rëndësinë që ka pasur zhvillimi i këtij qarku gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste.

Duke folur për rezultatin elektoral, Rama shprehu bindjen se PS mund të arrijë një rekord të ri në Qarkun Vlorë.

“Me tërë këto transformime që u janë bërë Vlorës, dhe me këto katër vjet që i kanë dhënë Vlorës anembanë Shqipërisë tërë atë xhelozi që është krijuar për shkakun tim, nuk është mirë që PS të ngjitet në 80 dhe 80 e kusur mandate dhe Vlora të mbetet te 8. Po unë e di që vlonjatët i dinë vetë të tëra dhe nuk dua të këmbëngul që unë i di më mirë, por dua t’i siguroj të tërë që nëse në këto vite është bërë për Vlorën sa nuk është bërë në tërë vitet e marra së bashku, në 4 vitet që vijnë ne do të vazhdojmë të bëjmë për Vlorën gjëra që sot duken të pamundura”, tha Rama.

Ai e cilësoi Vlorën si një prej pikave më strategjike për zhvillimin turistik dhe ekonomik të Shqipërisë.

“Di t’ju them të gjithëve që nëse sot do të ishim në 2030, këtu në Vlorë do të ishte një vend që tërë Europa do ta mbante si një destinacion i dorës parë. Mbani mend këto fjalë se nuk janë fjalë fushate elektorale, janë fjalë që lidhen me çfarë ne kemi mbjellë akoma në Vlorën 2030, Shqipërinë 2030. Mbani mend këto fjalë që në fund të kësaj dekade, do të kenë ardhur emrat më të mëdhenj, firmat më të mëdha, të gjitha ato gjëra të bukura që mblidhen rreth një vendi kur ai vend bëhet xhevahiri i kurorës së turizmit mesdhetar“, u shpreh ai.

Rama ndau edhe lajmin për uljen e parë të avionit në Aeroportin e Vlorës, të cilin e konsideroi si një motor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qark.

“Në aeroportin e Vlorës do punësohen mbi 1000 njerëz, kryesisht djem dhe vajza të reja. Aeroporti nuk do ketë vetëm avionë pasagjerë, por do ketë edhe avionë të ngarkesave, që do të çojnë e sjellin mallra e pako të të gjitha përmasave, siç ndodh në të gjithë botën. Do ketë qendër për riparimin e mirëmbajtjen e avionëve të disa prej kompanive më të mëdha europiane. Shumë shpejt nisin fluturimet në Aeroportin e Vlorës”, tha kryeministri.

“Vlora do ketë ndër portet më të bukura të jahteve në Mesdhe. Triporti do jetë port serioz për anijet që marrin dhe sjellin mallra si dhe për anijet e peshkimit. Hotelet kanë nisur t’i ngrihen. Në Vlorë do vijnë firmat më prestigjioze të hotelerisë. Bregdeti i Vlorës do bëhet ndër destinacionet më të kërkuara në Mesdhe”, deklaroi Rama.