Në Forumin Strategjik të Bled-it që po zhvillohet në Slloveni, Kryeministri Edi Rama ka ritheksuar përkushtimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, duke e cilësuar vendin si një “ndjekës besnik” të Bashkimit Evropian.
“Kur vjen puna që ta ndjekim Evropën ne jemi ndjekës besnikë. Ne nuk jemi lëkundur dhe as vënë në dyshim, sepse kur vjen fjala për besnikërinë jemi të verbër”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në panel.
Ai theksoi se ndryshe nga vendet anëtare të BE-së, Shqipëria nuk ka shumë për të humbur kur bën kritika ndaj Brukselit, por pavarësisht kësaj mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit.
“Kemi ide të qartë të madhësisë sonë, peshës sonë dhe të sfidave tona si evropianë. Duam të jemi të lirë dhe të shprehemi lirisht, por kur vjen puna që ta ndjekim Evropën ne jemi ndjekës besnikë”, shtoi kryeministri.
Duke komentuar mbi rolin e shtetit në ekonomi, Rama theksoi se në Ballkan, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara apo vendet e BE-së, nuk ka një traditë të një “shteti sipërmarrës”.
“Në thelb ne kërkojmë më shumë para nga buxheti”, tha ai.