Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë rubrikës “Sy m’sy” në platformat sociale, se qeveria është në diskutime me organizatorët për të sjellë në Shqipëri dy aktivitete të jashtëzakonshme, “Global Soccer Awards” dhe “Padel International”.
“Në ndërkohë, jemi duke diskutuar edhe Durrësin e Vlorën si opsione, por me 95% mundësi në Tiranë do të sjellim edicionin evropian të “Global Soccer Awards”, të çmimit të globit të futbollit. Është një eveniment i jashtëzakonshëm, i cili mbahet çdo vit në Dubai dhe për pjesën e Evropës, organizatorët janë në diskutim me Madridin dhe me ne në Shqipëri. Kemi shumë arsye të besojmë që zgjedhja do të bjerë mbi ne dhe do të jetë fantastike që çmimin e futbollistit më të mirë të vitit, supozojmë Lamine Yamal t’ia japin këtu në Tiranë”, pohoi Rama.
Rama tha se po punohet për të sjellë edhe një tjetër aktivitet të jashtëzakonshëm në Shqipëri siç është Padel International.
“Ky është një tjetër aktivitet që ka një mbulim të jashtëzakonshëm mediatik në të gjithë botën. Është aktiviteti i padelit dhe po punojmë që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij”, tha Kryeministri.
Sipas Ramës, “këto janë aktivitete që nuk mendohej që të zhvilloheshin në vendin tonë, por propozimet po vijnë edhe vetë në një farë mënyre.
“Është jo vetëm diçka kuptimplotë, por diçka shumë domethënëse dhe e vlefshme për të gjithë agjendën tonë të transformimit, konsolidimit që Shqipëria ka marrë në arenën ndërkombëtare. Për të gjithë agjendën tonë të zhvillimit të turizmit, ekonomisë dhe gjithë agjendën tonë të rritjes së cilësisë dhe volumit të investimeve të huaja në Shqipëri ku gjërat po marrin formë më konkrete”., theksoi Kryeministri Rama.