Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin ndërsa bëri të ditur se ai është rikthyer në Kryeministri, pas tejkalimit të problemeve shëndetësore.
“Sapo jam kthyer nga Berlini dhe kam gjetur këtu një të kthyer tjetër nga arratia”, tha Rama.
Agaçi falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në këtë moment.
“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”, u shpreh Agaçi.
“Jo të gjithë për mbështetjen, atyre që mbështetën, atyre të tjerëve, pa merak më 11 maj”, theksoi Rama.
Krahas videos Rama shkruan: “Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin “bufi i kënetës” e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale teksa ndau një video të shkurtër me Agaçin.