Pas mbylljes së procesit zgjedhor në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh falënderues për të gjithë strukturat dhe kandidatët e Partisë Socialiste, duke e cilësuar fitoren një sukses historik për forcën që ai drejton.
“Dua t’ju falënderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila bëri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit”, shkruan Rama në mesazhin që po qarkullon në media.
Kryeministri falenderoi veçanërisht kandidatët e listës së hapur, duke theksuar rolin e tyre në mobilizimin e forcës së PS-së në të gjithë territorin.
“Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor. Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme.”
Për ata që nuk arritën të sigurojnë një vend në Kuvend, Rama kishte një mesazh inkurajues.
“Të gjithë atyre që s’ia dolën, u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, por edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues”, delaroi ai.
Në përmbyllje, Kryeministri la të hapur mundësinë e një takimi të përbashkët për të festuar arritjen e përbashkët.
“Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur“, shtoi më tej Rama.