Rama mban konferencë për media sot në orën 14:00, pas takimeve me liderët - Gazeta Express
string(70) "rama-mban-konference-per-media-sot-ne-ora-1400-pas-takimeve-me-lideret"

Rama mban konferencë për media sot në orën 14:00, pas takimeve me liderët

Gazeta Express

30/06/2020 10:44

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot e përmbyll vizitën dyditore në Kosovë. Pas takimit të fundit, Rama pritet t’u drejtohet mediave. Burimet e Gazetës Express kanë bërë të ditur se kryeministri flet para gazetarëve në orën 14:00 në një paraqitje nga aeroporti i Prishtinës.

Pak ditë pas lajmit se Prokurori i Specializuar ka dërguar për konfirmim aktakuzat për presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli, nën dyshimin e kryerjes së 100 vrasjeve të paligjshme, Kosovën e ka vizituar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lexo Edhe:

Rama ka shkruar dje se po qëndron në Kosovë për të mësuar e dëgjuar më shumë për aktakuzat e Speciales për të cilat ka deklaruar se janë njollë turpi e shekullit 21.

Gjatë ditës së djeshme, Rama është takuar me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me të cilin edhe ka drekuar në një nga restorantet e Prishtinës.

Pastaj është takuar me kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Më vonë, kreu i Qeverisë shqiptare është takuar me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, e pastaj edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Megjithatë, në asnjë nga këto paraqitje, Rama nuk ka folur i pyetur nga mediat.

Kryeministri i Shqipërisë në ditën e dytë të vizitës ka mbajtur takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, derisa do të takohet me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli, dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Takim nuk do të mbajë me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, me të cilin ka një kohë që ai i ka raportet e acaruara.

Pas të gjitha këtyre takimeve, kreu i Qeverisë shqiptare, siç merr vesh Gazeta Express, do të bëjë një paraqitje para mediave.

Sipas burimeve, Rama do të flasë para gazetarëve në orën 14:00 në një paraqitje nga aeroporti i Prishtinës. /GazetaExpress/