Rama –Kurti, një luftë balozësh në një vend liliputësh - Gazeta Express
string(52) "rama-kurti-nje-lufte-balozesh-ne-nje-vend-liliputesh"

Rama –Kurti, një luftë balozësh në një vend liliputësh

OP/ED

Ermal Mulosmani

25/08/2021 14:02

Mediat pranë pushtetit në Shqipëri, përmes zëdhënësve më të spikatur të tyre, janë në një përjekje të pareshtur për të përvijuar një konflikt ndërmjet dy zërave më të fortë politikë në të dy shtetet shqiptare, Albin Kurtit dhe Edi Ramës. Përditë, Mero Baze, përfaqësuesi më i spikatur i antiopozitarizmit shqiptar (dikur diskredituesi më i madh i antiopozitarëve) ngjyen penën për të treguar që e keqja e këtij vendi është Opozita e Shqipërisë dhe Albin Kurti në Kosovë!

Nëse lexon Meron (gjë që unë e bëj me përulësi dhe respekt çdo ditë) do kuptosh që strategjia e Edi Ramës është eleminimi i çdo zëri tjetër opozitar dhe fokusimi te Albin Kurti. Kaq e dukshme është kjo përpjekje, sa, një tjetër i përbetuar si “opozitar i përjetshëm” por i kthyer tashmë në një “çomange antiopozitarizmi”, Kreshnik Spahiu, shkruan: “Jepjani Opozitën Albin Kurtit”!

Lexo Edhe:

Ideja e përpunuar në laboratoret e pushtetit përhapet si me magji në të gjitha ato redaksi që Baze i quante aq bukur dikur:

“Këto redaksi janë themeli i shtypit antiopozitar në Shqipëri, një shtyp i verdhë, pa dinjitet, por i bollshëm, si kashta që ta bën gjithmonë të vështirë gjetjen e kokrrave të grurit në një lëmë rrëmujë siç është Shqipëria.”

Edi Rama prej kohësh ka zgjedhur të injorojë publikisht çdo pyetje apo koment ndaj Albin Kurtit. Kjo strategji shitet si një përpjekje e mundimshme e tij “për të mos folur keq në mungesë të argumentit për të folur mirë”. Rama po e ruan “vëllaun” pa eksperiencë nga Kosova në pritje të “kuptimit të gabimit” dhe kthimit në udhën e Perëndisë…

Mirëpo zëdhënësit e tij mediatikë përcjellin të vërtetën çdo ditë e më shumë: Rama nuk e duron Albin Kurtin dhe po mbledh rreth vetes çdo kundërshtar të mundshëm të tij. Si një mjeshtër i propagandës ai e ka arritur këtë të paktën me të gjithë pasuesit e Partisë së Hashim Thaçit. Ata shohin te Rama të vetmen shpresë për asgjësimin politik të Kurtit.

Përkrahja e tyre është e parezervë dhe aq e pakuptimtë sa kanë filluar të shohin te miqtë serbë të Ramës si Vuçiç, Bregoviç, Mihajlloviç anë të mira. Sepse te militanti shqisa e të menduarit shuhet kur vihet përballë emocionit të kauzës së propagandës.

Siç shkruan i madhi Orwell në esenë e tij “Mbi Nacionalizmin”:

“Komunistët kinezë shihnin te lideri nacionalist Çan Kai Shek një terrorist çnjerëzor, një armik të përbetuar të tyre pasi kishte zier të gjallë 100 komunistë. Mirëpo pak kohë më vonë, kur Partia Komuniste bëri aleancë me Shekun ky fakt injorohej dhe Sheku shihej vetëm si patriot…

Në funksion të platformës ultraliberale e mendjehapur të Kryeministrit Rama, serbët, në sytë e PDK-istëve, nuk janë më edhe aq të këqinj. Ka pasë mes tyre kriminelë mirëpo kanë shkuar në burg. Shumica. Vuçiç nuk ka pasë gjë në dorë. Ose pak. Ai nuk ka qenë Ministër i Propagandës së Milloshit, fore ka qenë ajo… Fundja edhe nëse ka qenë nuk ka pasë çka me bo…Tash jena në shekull tjetër, ai është njeriu me të cilin duhet negociuar e ardhmja e Kosovës….

Vuçiç qesh me Ramën kur dëgjojnë koret nacionaliste. Bashkë me ta mundet qesh edhe Thaçi në Hagë dhe pasuesit të tij në Prishtinë a Drenas…Edhe Amerika qesh me ta me siguri…

Propaganda ramiste ka ndërtuar mrekullisht stereotipin e nacionalistit kokëbosh, populist e dekonstruktiv në profilin e Albin Kurtit. Kushdo që flet kundër vëllazërim-bashkimit është një albinist. Nuk ka rëndësi fare e vërteta. Duhet ndarë në dysh skena, Rama është një mjeshtër në polarizime. Siç bëri në politikën e Shqipërisë, synon eleminimin e çdo zëri alternative të tretë. Shumë pole e nervozojnë. Pluralizmi për të është dualizëm. Nuk ka gjë që e bën nervoz më shumë sesa pasja e disa pikave kundërshtuese.

Kur e nisi luftën me shtetarët e Kosovës në funksion të Minishengenit i kishte kundër të gjithë. Që nga Thaçi, Mustafa, Haradinaj…Kurti po e po… Tashmë zërat kundër tij janë të shuar pothuajse plotësisht. E shohin si aleat në luftën kundër Albinit.

Edhe Basha nuk përzihet në këtë mesele, ka punë të tjera ai…Ka ndonjë reagim sporadik nga LDK-ja por në përgjithësi sot, e gjithë politika kosovare e sheh problemin te Albini më shumë sesa te Rama… Ishte krejt ndryshe një vit më parë. Ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm për Kryeministrin Rama.

Nga ana tjetër qëndrojnë Kurti dhe pasuesit e tij. Sa më shumë Rama fiton pikë në skakierën politike aq më nervozë e refraktarë tregohen ata. Po futën çdo ditë e më tepër në llucën qesharake të megallomanisë lilipute që nuk do i çojë askund. Militantët e Kurtit shohin te udhëheqësi i tyre Davidin që do të mundë Goliatin-Ramë. Në fakt Goliati është Serbia jo Rama. Nuk ka asnjë shans që ata ta mundin Ramën me kartën e nacionalizmit apo pastërtisë morale. Janë të dyja karta që nuk mbajnë gjatë.

Nëse do të mbetesh i pastër mos u merr me politikë.

Kurti duhet të kuptojë (dhe ka filluar diçka) që në politikë duhet të bëjë kompromise dhe merren përgjegjësi. Lufta me Ramën është bash ëndrra politike e këtij të fundit dhe fillimi i fundit politik të Kurtit. Prandja duhet ndryshuar strategji.

E ardhmja ballkanike fillon nga bashkëpunimi Rama-Kurti. Nëse Kurti fillon të lëshojë mesazhe bashkëpunimi dhe tolerance do e çojë topin në fushën e Ramës. Në politikë të mban aftësia për të bërë kompromise, për ta konvertuar disfatën në fitore.

Balozët janë nëpë legjenda. Balozët e vendeve lilipute pastaj janë nëpër barcaleta.