Rama: Ksamili e Dhërmiu kthehen në plazhe publike - Gazeta Express
string(48) "rama-ksamili-e-dhermiu-kthehen-ne-plazhe-publike"

Shqiperi

Gazeta Express

04/09/2025 18:10

Rama: Ksamili e Dhërmiu kthehen në plazhe publike

Shqiperi

Gazeta Express

04/09/2025 18:10

Plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut nuk do jenë më në administrim të privatëve, por do t’i kalojnë në menaxhim bashkive. Ky ishte paralajmërimi që Kryeministri Rama bëri gjatë eventit “Shqipëria Turistike 2030”.

“Duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga duart privatëve dhe s’ka më sens të jetë plazh privat, as i Ksamilit, as i Dhërmiut, që të vijnë nga zona të tjera për të vendosur çadra e sezona e beach bar-e, e që hedhin ujërat e zeza në det. Një ndër plazhet më të bukura të botës s’mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë të pushtuar e të sillen me vizitorët që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo çmime të paimagjinueshme që vetëm lëndojnë imazhin e turizmit.”

Bashkia e Himarës dhe ajo e Lezhës do të shërbejnë si modele në planin e ri për bregdetin që pritet të hartohet nga qeveria.

“Kryetari i Bashkisë së Himarës e ka treguar sesi mund të administrohet një plazh në Himarë. Eksperienca e Bashkisë së Lezhës ka pasur rol kyç në pastërti, tregon se është e mundshme… në pjesën publike, bashkitë të mos ofrojnë vetëm rërë, siç e ka bërë Bashkia e Himarës.”

Duke nisur nga vera e ardhshme në beach bar-e do të ndalohet edhe muzika.

“Do e ndalojmë muzikën, s’do ketë më muzikë. Tallavaja e beach bar-eve për të stresuar dynjanë… Në Dhërmi, turistët japonezë u larguan të nesërmen, të terrorizuar nga muzika.”

“Hap e beach bar sikur të kalosh host të rock-and-roll-it, këtë anë Metallica, e matanë një tjetër. Kush do muzikë deri në 5, jashtë bashkive.”

Në ambicien për gjelbërimin e Shqipërisë, ftoi edhe kryebashkiakun demokrat të Kavajës, me të cilin nuk i kurseu batutat.

“Shpresoj që në këtë përpjekje të na bashkohet edhe Kavaja demokratike, që uroj t’i ndalojë ndërtimin e pallateve në vend të pishave! Dhe ka ardhur edhe kryetari i Kavajës, ok, hudhrën e paskemi me vete.”

Pavarësisht se rritja e cilësisë mbetet prioritet i qeverisë, Ministrja Kumbaro foli për shifra të kënaqshme të turistëve që vizituan vendin tonë këtë vit.

“Rreth 9 milionë vizitorë të huaj deri në gusht, 500 mijë më shumë se vjet.”

Në rritjen e numrit të vizitorëve, zv.kryeministrja Balluku tha se kanë ndikuar edhe investimet në infrastrukturë, ku një rekord në shifra mban edhe tuneli i Murrizit.

“Shifra më e lartë e këtij sezoni nga tuneli i Murrizit ishte më 17 gusht, dhe shifra është 19,050 automjete që lëvizin drejt Dibrës.”