Shqipëria hapi dje edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga dita e djeshme në Bruksel, teksa shprehu kënaqësinë e një tjetër dite të shënuar në rrugëtimin drejt BE-së, si edhe krenarinë për skuadrën tonë kombëtare të negociatave.
Pas punimeve të konferencës së gjashtë ndërqeveritare BE-Shqipëri, kryeministri Rama zhvilloi konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Çështjeve Europiane të Danimarkës Marie Bjerre dhe komisioneren Europiane për Zgjerimin Marta Kos, ku u theksua se shpejtësia e Shqipërisë për integrimin në BE është mbresëlënëse.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE iu kushtua grup-kapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.